Lidhje

SHBA: Raporti për klimën kundërshton qëndrimin e administratës  


Administrata e presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton një raport mbi ndryshimet klimatike përgatitur nga 13 agjenci federale, të cilat kanë arritur në përfundime që bien ndesh me qasjen e administratës ndaj kësaj çështjeje.

Raporti vjen në përfundimin se është "jashtëzakonisht e mundshme" që aktiviteti njerëzor të jetë shkaku i më shumë se 50 për qind e rritjes së temperaturës së Tokës që nga viti 1951. Kjo bie në kundërshtim me atë çfarë beson administrata, e cila thotë se shkaku i ngrohjes globale është i paqartë.

Sipas raportit, ndikimi i njeriut shkaktoi një rritje të temperaturave globale me 0.6 deri 0.7 gradë Celsius mes viteve 1951 dhe 2010 dhe shkaku kryesor është ai që njihet si efekti serë.

"Nuk ka shpjegime të tjera dhe nuk gjenden cikle natyrore në të dhënat e vëzhgimit që të mund të shpjegojnë ndryshimet e klimës", thuhet në studim.

Administrata Trump mori një kopje të projekt-raportit disa javë më parë, thanë zyrtarët e lartë të administratës. Është e paqartë nëse administrata, e cila njoftoi në qershor se do të tërhiqet nga marrëveshja e klimës në Paris, do ta miratojë raportin. Agjensia e Vlerësimin Kombëtar mbi Klimën që mandatohet nga Kongresi çdo katër vjet do ta përshijë studimin në raportin e saj.

Disa shkencëtarë janë të shqetësuar se administrata mund të ndryshojë ose ta censurojë raportin. Skeptikët e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu janë të shqetësuar gjithashtu për publikimin e raportit, së bashku me një vlerësim më të plotë të Agjensisë se Vlerësimit Kombëtar të Klimës.

Raporti nuk përfshin rekomandime, por thekson nevojën për të stabilizuar rritjen e temperaturës globale në më pak se 2 gradë Celsius, duke ulur ndjeshëm nivelin e dioksidit të karbonit. Sipas shkencëtarëve, një rritje në mbi 2 gradë Celsius do të sillte ndryshimeve katastrofike.

Në kuadër të marrëveshjes së Parisit për klimën, rreth 200 vendet pjesmarrëse kanë rënë dakord të ulin ose kufizojnë emetimin e karburanteve fosile. Sipas raportit, përmbushja e këtyre objektivave të emetimit, do të ishte një hap i rëndësishëm drejt frenimit të ngrohjes globale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG