Lidhje

FBI-ja kontrollon shtëpinë e ish shefit të fushatës Trump


Muajin e kaluar Agjentë të Byrosë Federale të Hetimit bastisën shtëpinë e ish shefit të fushatës së presidentit Donald Trump, duke intensifikuar hetimin e tyre për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Lajmi u konfirmua të mërkurën nga ndihmësit e 68 vjecarit Paul Manafort, sipas të cilëve më 26 korrik agjentët federalë kontrolluan shtëpinë e tij si dhe konfiskuan dokumente dhe materiale të tjera.

Bastisja në shtëpinë e Paul Manafortit, një politikan republikan karriere, i cili ka patur lidhje të thella financiare me Rusinë dhe Ukrainën, ndodhi në periferi të Virxhinias herët në mëngjes dhe pa paralajmërim.

Agjentët federalë shkuan në shëpinë e tij vetëm disa orë pasi zoti Manafort ishte takuar vullnetarisht me anëtarë të Komisionit të Zbulimit të Senatit. Ky komision po heton lidhur me marrëveshjet e mundshme sekrete mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe atyre rusë që synonin të ndihmonin zotin Trump të fitonte zgjedhjet e nëntorit të kaluar.

Bastisja ishte pjesë e një hetimi kriminal që po kryen Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, një ish drejtor i FBI-së. Ai u emërua për të hetuar lidhjet mes njerëzve të fushatës Trump me Moskën si dhe nëse zoti Trump pengoi drejtësinë duke shkarkuar zotin James Comey nga detyra e drejtorit të FBI-së, ndërsa ai drejtonte hetimin e agjencisë lidhur me Rusinë.

Aktiviteti i zotit Manafort për llogari të kandidatit Trump dhe lidhjet lobuese me Rusinë përpara se ai të drejtonte fushatën e tij për president, janë në fokusin e prokurorit të posaçëm Mueller dhe ligjvënësve të kongresit që po hetojnë mbi çështjen. Bëhet fjalë për periudhçn nga qershori 2016 deri në gusht të vitit të kaluar.

Me interes të veçantë është një takim i qershorit të 2016-s në “Trump Tower” në Nju Jork, ku zoti Manafort mori pjesë së bashku djalin e madh të zotit Trump, Donald Trump Jr si dhe dhëndrin e presidentit, Jared Kushner.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG