Lidhje

Kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut sfidon edhe tabutë në Japoni


Ndërsa është nxehur retorika ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut për programin e saj të armëve bërthamore, tabutë e hershme po thyhen në vendin fqinj – Japoninë – i vetmi vend që është bombarduar me armë bërthamore gjatë luftës. Analistët thonë se debati nëse edhe Tokio duhet të zhvillojë armë bërthamore u fillua nga ekstremi i djathtë politik dhe tashmë është bërë pjesë e diskutimit kombëtar.

Një revistë japoneze për mbrojtjen njoftonte këtë javë rreth shqetësimeve të shërbimeve amerikane të zbulimit se Pheniani i ka përmbushur edhe hapat e fundit për prodhimin e mbushjeve bërthamore në miniaturë.

“Janë mundësitë që Korea e Veriut ta sulmojë që sot Tokion me armë bërthamore. Nëse lëshon raketa, ato e arrijnë Tokion në dhjetë minuta”, thotë Narushige Michishita, i Institutit Kombëtar për Studimin e Politikave.

Mendohet se Korea e Veriut disponon mbi 200 raketa që mund të godasin Japoninë.

Një sulm ndaj një qyteti të mbipopulluar si Tokio do të rrezikonte qindra mijëra jetë.

Kushtetuta e Japonisë lejon veprimin ushtarak vetëm në rast vetëmbrojtjeje.

Konservatorët e djathtë, ndër ta edhe Ministri i Financave Taro Aso, thonë se Japonia duhet ta ketë opsionin e zhvillimit të armëve bërthamore. Kjo çështje po debatohet haptazi edhe në Korenë e Jugut. Por, anketimet tregojnë se vetëm 5% e japonezëve duan që vendi i tyre të bëhet një fuqi bërthamore.

“Nuk mendoj se do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Edhe nëse Korea e Jugut bëhet fuqi bërthamore, ne do të jemi të fundit”, thotë Kuni Miyake, i Institutit “Canon” për Studime Globale.

Të tjerë dyshojnë se armët bërthamore mund të ofrojnë peshë diplomatike.

“Nëse do të kishim armë bërthamore dhe do të thonim se do të kundërpërgjigjeshim nëse Korea e Veriut do të godiste, a do të ishte kjo e besueshme? Mendoj se jo”, thotë zoti Michishita.

Këtë javë u përkujtuan goditjet bërthamore ndaj Hiroshimës dhe Nagasakit, kur u vranë qindra mijëra njerëz. Ceremonitë përkujtimore u lanë në hije nga debati i rigjallëruar për luftën.

“Është shtuar frika se armët bërthamore mund të përdoren në një të ardhme jo të largët”, tha kryetari i bashkisë së Nagasakit, Tomihisa Taue.

Kryeministri i Japonisë rikonfirmoi qëndrimin e deritanishëm të vendit.

“Këtu në Nagasaki, në qytetin që vazhdon të lutet për vazhdimësinë e paqes, rikonfirmoj angazhimin për një botë në paqe pa armë bërthamore”, deklaroi Kryeministri Abe.

Analistët po diskutojnë nëse do të ndryshojë perceptimi në rastin e një sulmi ndaj Japonisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG