Lidhje

Guam lutet për paqe mes shqetësimeve për sulme nga Pheniani


Pas kërcënimeve të Koresë së Veriut se po përgatit plane për të hedhur raketa rreth ishullit Guam në Paqësor, disa banorë të Guamit u bashkuan në lutjet e tyre për paqe. Ishulli Guam është territor amerikan dhe bazë e rëndësishme ushtarake amerikane për rajonin e Azi Paqësorit. Pavarësisht situatës, vizitorët vazhdojnë të shijojnë plazhet tropikale dhe parqet historike të ishullit.

Popullata katolike e ishullit Guam daton që nga shekulli 17, kur kolonizatorët spanjollë e sollën fenë e tyre këtu. Mesha e së dielës në Katedralen e Shën Antonit ishte e mbushur me besimtarë që luteshin për paqe.

John Riviera është ndihmës profesor në Universitetin e Guam-it.

“Jemi larg dhe të shkëputur prej shumë vendeve, por edhe të lidhur me shumë vende, ndaj shpesh nuk kemi mundësi të diktojmë ato që ndodhin, por padyshim jemi pjesë e botës dhe ndikohemi nga ato që ndodhin dhe në këtë kuptim, ne jemi të shqetësuar.”

Guvernatori i ishullit Guam publikoi të premten një video ndërsa bisedonte me presidentin Trump, i cili e telefonoi atë për të premtuar mbështetje ndaj ishullit të largët.

“Jeni të sigurtë. Ne jemi me ju një mijë përqind.”

Por pas retorikës së nxehtë mes udhëheqësit amerikan dhe atij koreano-verior, shumë besimtarë të ishullit i janë drejtuar fuqisë hyjnore. Pastori Mike Crisostomo shërben në Kishën e Zemrës së Papërlyer të Marisë.

“Ndaj një konflikti nuk mund të reagohet me konflikt dhe dhuna nuk mund të përjetësohet. Roli ynë është që të ruajmë qetësinë dhe të lejojmë njerëzit të besojnë tek Zoti.”

Vizitorët në ishullin piktorest nuk treguan ndonjë shenjë se kishin ndërmend të ndërprisnin pushimet pas kërcënimit nga Pheniani.

“Askush nuk ndihet i kërcënuar. Nuk besoj se duhet të ndihemi", thotë një turist nga Australia.

Në telefonatën e tij me guvernatorin e ishullit, presidenti Trump tha se turizmi në ishull do të rritej falë publicitetit. Zyra për sigurinë kombëtare në ishull i ka udhëzuar njerëzit që të përgatiten për t’u strehuar në rast të një sulmi dhe për të qendruar brenda deri sa autoritetet të japin udhëzime të tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG