Presidenti Donald Trump denoncoi dje supremacistët e bardhë që organizuan tubimet me viktima të fundjavës në qytetin Charlottesville, të shtetit Virxhinia, duke u shprehur se “racizmi është një e keqe”. Në lagjen Del Ray, në Alexandria, po të shtetit Virxhinia, banorët janë organizuar për t’iu kundërvënë posterave raciste të vendosura kohët e fundit nëpër pemë dhe xhamat e shtëpive të tyre. Këto postera kundër njerëzve me ngjyrë, myslimanëve dhe komuniteteve të tjera, bënin thirrje gjithashtu për supremacinë e racës së bardhë. Tabelat mbanin firmën e grupit ekstremist të krahut të djathtë, Gjak dhe Baltë. Banorët hoqën rreth 50 të tilla nga dyert e shtëpive e bizneseve dhe i zëvendësuan ato me postera kundër urrejtjes.
Lagjia Del Ray në Aleksandria, Virxhinia, e sheh veten si një vend që u takon të gjithëve, por kjo atmosferë paqësore dhe mikpritëse u vu në pikëpyetje një ditë kur qytetarët gjetën postera urrejtjeje kundër njerëzve me ngjyrë, myslimanëve dhe grupeve të tjera, në dyert e shtëpive dhe bizneseve të tyre.
“Kjo urrejtje dhe këto mendime negative nuk kanë lidhje me Del Ray-n, të paktën jo me komunitetin ku jetoj unë me të fejuarin", thotë banorja e lagjes “Del Ray”, Nelle Champlin-Scanelle.
Bizneset vendase u kundërpërgjigjën me posterat e tyre.
“Kjo pankartë është për të treguar se ky komunitet më ka adoptuar dhe tashmë jam pjesë e tij, kështu që do t’i përkrah kundër çdo akti racizmi”, thotë Petros Ghebre-Egziabher, pronar i dyqanit “Dolce and Bean”.
“Urrejtja nuk është tipar i kësaj lagjeje, ku të gjithë njihemi me njëri-tjetrin. Ne jemi miq, kolegë dhe ky është një sulm personal ndaj të gjithëve ne”, thotë Stephany Wright, pronare e një dyqani arti.
Del Ray njihet si një lagje miqësore dhe tolerante, ku mesazhet e urrejtjes dhe intolerancës janë të papranueshme.
“Fjala e lirë mbrohet nga Kushtetuta e Amerikës, por jo kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes”, thotë presidenti i shoqatës së qytetarëve të “Del Ray”, Rod Kuckro.
Tabelat në Farmacinë e Lagjes tregojnë se kushdo është i mikpritur aty. Bashkëpronarja, Stacey Swartz, thotë se farmacia ka një staf të larmishëm.
“Këtu kemi punonjës latinë, myslimanë, persë, nga të gjitha racat. Duam që edhe klientët të ndihen të mirëpritur”, thotë zonja Swartz.
“Kundër dhunës” është mesazhi i vendosur jashtë këtij dyqani me ushqime dhe aksesorë për qentë. Që prej zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, pronari i dyqanit, Paul Haire, beson se gjuha e urrejtjes ka dalë jashtë kontrollit.
“S’ka rëndësi kush e nisi këtë lojë urrejtjeje, por ajo duhet të marrë fund sa më parë.”
Në Del Ray, përfundon ai, komuniteti jeton çdo ditë me moton “kundër urrejtjes”.
Facebook Forum