Lidhje

Raporti i ministrave të PD, replika Basha-Rama


Në Shqipëri kryetari demokrat Lulzim Basha e cilësoi sot raportin e bërë publik nga ish ministrat e tij në qeverinë e kryeministrit Rama si dëshmia më e fundit që provon se zgjedhjet e 25 Qershorit u manipuluan. Nga ana e tij zoti Rama u shpreh i keqardhur për raportin të cilin e konsideroi si një dokument politik, të njëanshëm dhe jo profesional.

Shqipëri: Replika Basha-Rama për raportin e ministrave të PD
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Një ditë pas publikimit të raportit për zgjedhjet e 25 qershorit, nga ana e ministrave teknikë të Partisë Demokratike, dokument i cili shoqëroi dhe dorëheqjen e tyre, kreu demokrat Lulzim Basha ju rikthye akuzave për manipulimin e votës. “Raporti – shprehet zoti Basha në një deklaratë - dëshmon se në zgjedhje u përdor çdo metodë dhe mjet i mundshëm për ndikimin e votës: u ble vota me para dhe favore, u kërcënuan direkt dhe indirekt votuesit me dhunë fizike, psikologjike dhe presion ekonomik, u manipulua numërimi i votave. Në zgjedhje – shton zoti Basha - u aktivizuan kriminelët, u përdorën paratë e drogës, dhe paratë e korrupsionit qeveritar. U përfshi administrata dhe u përdorën mjetet dhe burimet publike”.

Zoti Basha citon raportin kur thotë se “ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime; drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin dhe nuk ju bindën udhëzimeve të tyre”, dhe kjo situatë ka ardhur pasi sipas tij kryeministri Edi Rama nuk i është përmbajtur marrëveshjes së arritur mes tyre natën e 17-18 majit. “E gjitha kjo ndodhi për mungesë totale të vullnetit politik nga Edi Rama për të përmbushur detyrimet që mori përsipër përpara shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar”, thekson kreu demokrat.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama u shpreh “i keqardhur për përmbylljen e kësaj eksperience pozitive me të ashtuquajturin Material përmbledhës”. Sipas tij “raporti në fjalë fatkeqësisht komprometon si një epilog krejt i pavend, gjithçka të mirë u ndërtua në funksion të zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë. Ky raport është një dokument politik, krejt i njëanshëm dhe aspak në nivelin e lartë profesional të Zëvendëskryeministres teknike, si drejtuese e Task Forcës në fjalë”.

Por pikërisht ish zëvendëkryeministrja teknike Ledina Mandija, njoftoi sot se Protokolli i kryeministrisë kishte bllokuar dërgimin në Prokurori të denoncimit të zyrës së saj për 3600 lëvizje në administratën shtetërore gjatë fushatës, në shkelje sipas saj të ligjit dhe një vendimi të qeverisë. Ky denoncim ishte bërë sipas njoftimit që në muajin korrik, por vetëm dje protokolli i kryeministrisë kishte përcjellë shkresën në Prokurori.

Ministrat teknikë të Partisë Demokratike u përfshinë në qeverinë e majtë pas marrëveshjes mes Kryeministrit dhe zotit Basha. Një marrëveshje e cila përveç monitorimit të zgjedhjeve të qershorit, parashikon dhe realizimin e një reforme kushtetuese dhe zgjedhore. Në deklaratën e tij zoti Basha thekson sot se “reformimi thellësor i sistemit zgjedhor, përfshi votimin dhe numërimin elektronik, është prioritet i Partisë Demokratike”, duke shtuar se ajo “qëndron e palëkundur në bindjen e saj se vendi ka nevojë për një reformë të thellë të sistemit politik, për të risjellë ndarjen, kontrollin dhe balancimin e pushteteve; për të garantuar të drejtat e individit dhe kontrollin demokratik të pushtetit nga opozita”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG