Lidhje

SHBA, Korea e Jugut fillojnë stërvitjet e përvitshme ushtarake

  • Brian Padden

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut filluan sot stërvitjet e përbashkëta ushtarake 10 ditore në shkallë të gjerë, por këtë vit numri i trupave dhe pajisjeve ushtarake do të jetë më i vogël se në vitet e mëparshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden njofton nga Seuli se ndërsa ushtria amerikane dhe ajo e Koresë së Jugut theksojnë se këto stërvitje mbrojtëse janë të nevojshme për të ruajtur gatishmërinë operacionale, ekzistojnë shqetësime se stërvitjet mund të nxisin përsëri tensionet me Korenë e Veriut.

Stërvitjet e përvitshme ushtarake, “Rojtari i Lirisë-Ulchi” janë një operacioni masiv planifikimi dhe koordinimi ushtarak që simulon reagimin ndaj një sulmi nga Koreja e Veriut. Rreth 17,500 trupa amerikane dhe 50,000 ushtarë të Koresë së Jugut do të marrin pjesë në këtë stërvitje. Vitin e kaluar rreth 25,000 ushtarë amerikanë morën pjesë në stërvitje.

Udhëheqësit ushtarakë thonë se këto lojëra luftarake vjetore, përveç stërvitjeve të kombinuara ajrore dhe detare që mbahen në pranverë, janë të nevojshme edhe për të trajnuar fluksin e vazhdueshëm të ushtarëve të rinj që dislokohen në këtë zonë.

Grant Newsham është me Forumin Japonez për Studime Strategjike

"Ne po flasim për përgatitje për luftë. Kjo nuk është një përgatitje për një paradë, kështu që ju duhet vazhdimisht të jeni në gatishmëri".

Stërvitjet e këtij viti vijnë në një kohë kur udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, sapo ka ulur tensioniet në rajon duke shtyrë planet për hedhjen e raketave në drejtim të ujërave afër territorit amerikan të Guamit.

Ky veprim shmangu një konflikt të mundshëm pasi Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se ushtria amerikane ishte "në gjendje gatishnmërie" dhe do t'i përgjigjej çdo sulmi me "zjarr dhe furi".

Disa analistë politikë sugjerojnë se Uashingtoni u është përgjigjur veprimit të fundit përmbajtjës të Phenianit duke ulur numrin e trupave në stërvitjen ushtarake të këtij viti, dhe duke mos anagazhuar në stërvitje avionët luftarakë me aftësi bërthamore dhe pajisje të tjera strategjike.

Choi Kang është me Institutin Asan

"Një mënyrë për t’i dërguar një sinjal pajtues Koresë së Veriut është mos angazhimi i pajisjeve strategjike si avionët B-1, F-35 ose nëndetëset me energji bërthamore."

Koreja e Veriut megjithatë tha të dielën se stërvitjet ushtarake do t’i "hidhnin benzinë zjarrit ", duke rritur gjasat që Pheniani të kryejë prova të mëtejshme rakatore dhe bërthamore në të ardhmen.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis të dielën mohoi se kundërshtimet e Koresë së Veriut kishin të bënin me zvogëlimin e numrit të trupave dhe pajisjeve amerikane në stërvitjet e këtij viti.

"Jo, kjo është një stërvitje për mbrojtjen e Koresë. Është një stërvitje e kombinuar dhe vendimet për organizimin e saj janë marrë shumë kohë më parë nga oficerët e aleancës."

Koreja e Veriut ka kundërshtuar prej kohësh stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të cilat i kanë quajtur "prova për pushtim". Kina dhe Rusia gjithashtu kanë bërë thirrje për pezullimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake së bashku me një ngrirjen e provave raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG