Lidhje

Historia e restorantit të famshëm “Ben’s Chili Bowl”


Amerika është vendlindja e ushqimit fast food dhe shumë prej restoranteve të saj kanë fituar famë në mbarë botën. Restoranti “Ben’s Chili Bowl” në Uashington është shndërruar në pikë referemi për zonën. Salçiçet e saj pikante janë pëlqyer nga presidentë, yje kinemaje dhe banorë vendas. Restoranti ka arritur të mbijetojë për një periudhë të gjatë prej gjashtë dekadash dhe tashmë ky biznes familjar po rritet me shpejtësi.

Restoranti “Ben’s Chili Bowl” merr vlerësime të larta nga banorët e zonës, si dhe nga klientët e rinj dhe turistët që vijnë në këtë destinacion. Radha për të gjetur vend zgjatet shpesh deri në rrugë.

“U rrita në këtë rrugë. Kam ndjekur shkollën këtu dhe e dashuroj këtë vend. E kam frekuentuar pa pushim që kur isha 17-18 vjeç. Vij sa herë që ndodhem në zonë. Më pëlqejnë patatet e tyre të skuqura, hot dog-ët dhe sallata e lakrës”, thotë Barbara Cobart, banore e zonës.

Në moshën 84-vjeçare, Virginia Ali, vazhdon të kujdeset për biznesin. Së bashku me të shoqin, të ndjerin Ben, ata e hapën këtë restorant 59 vite më parë, në një lagje historikisht të populluar nga afrikano-amerikanë. Trazirat e përfshinë këtë zonë në vitin 1968, pas vrasjes së aktivistit të të drejtave të njeriut, doktor Martin Luther King.

“I gjithë ai hidhërim u shndërrua në zemërim. Të rinjtë u mblodhën dhe hidhnin gurë, hynin me forcë në ndërtesa. Ishte shumë e vështirë. Patëm tre netë ndalim qarkullimi. Ne ishim i vetmi biznes që funksiononte, ndërkohë që të rinjtë duhet të mos qëndronin rrugëve”, thotë pronarja dhe bashkëthemeluesja e restorantit, Virginia Ali.

Trazirat u pasuan nga dekada vështirësish ekonomike për biznesin e restoranteve. Në vitet ’80-të, lagja njihej për përdorimin e drogave dhe për nivelin e lartë të krimeve.

“Për 20 vjet u shndërrua në geto, por ne qëndruam. Ndërtuam një marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetin dhe shumë të rinj na preferonin si pikën e tyre të orientimit. Çdo mbrëmje kishim të rinj që mblidheshin këtu pas punës dhe nëse dikush bënte rrëmujë, e nxirrnin vetë përjashta. Ishim si një familje”, tregon zonja Ali.

Kjo këmbëngulje për të qëndruar i solli rezultatet... Ringjallja e zonës në vitet ’90-të, e shpërbleu restorantin “Ben’s Chili Bowl” me famë dhe pasuri.

Krahas klientëve të rregullt, u frekuentua edhe nga persona të famshëm, si Barack Obama, apo ish-Presidenti francez Nicholas Sarkozy dhe e shoqja, Chelsea Clinton etj. Klientët ndërroheshin, por gatimet e restorantit vazhduan pa ndryshuar dhe biznesi vazhdon të jetë një biznes familjar. Tashmë menaxhere është Vida, nusja e Virginias. Fillimisht, ajo nuk e pati kuptuar rëndësinë e objektit.

“Pika e kthimit për mua ishte 50-vjetori i restorantit. Më kujtohet që po ndihmoja një ekip xhirimi dhe më pyetën se si ndihesha që po vazhdoja këtë trashëgimi. Në atë moment kuptova që kemi diçka që duhet ta mbrojmë dhe ta rrisim më tej. Kur vdiq vjehrri fillova të ndihmoj vetiu në menaxhimin e gjërave. Atëherë edhe m’u hapën vërtet sytë për rëndësinë e punës”, tregon Vida Ali.

Krahas menaxhimit të biznesit, Vida organizon edhe aktivitete bamirësie të komunitetit. Ndërkohë, ajo po planifikon se si do të festohet 60-vjetori i restorantit “Ben’s Chili Bowl”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG