Lidhje

Trump, fjalim para mbështetësve në Arizona


Presidenti amerikan Donald Trump do të flasë sonte në një tubim në Finiks të Arizonës, ndërkohë që vazhdon të jetë objekt kritikash për komentet e tij javën e kaluar rreth një proteste të supremacistëve të bardhë që u shoqërua me dhunë, në Sharlotsvill të Virxhinias. Zoti Trump fajësoi për dhunën jo vetëm organizatorët e tubimit, por edhe aktivistët që i kundërshtuan ata.

Presidenti Trump është kthyer në Uashington pas pushimeve të tij të punës në Nju Xhersi.

Por ai është ende në mbrojtje të komenteve të debatueshme të javës së kaluar, në të cilat fajësoi të dyja palët për dhunën në Sharlotsvill të Virxhinias.

"Kishte disa njerëz shumë të këqinj në atë grup. Por ka patur edhe njerëz të mirë në të dyja grupet e protestuesve."

Tubimi i Presidentit Trump në Finiks është pjesë e një përpjekjeje për t'u rilidhur me mbështetësit në bazën e tij, siç bëri pak më parë në Virxhinan Perëndimore.

Por disa republikanë të njohur, përfshirë senatorin Bob Corker thonë se Presidenti Trump duhet të bëjë më shumë për të shëruar ndarjet racore në vend, të shfaqura në Sharlotsvill dhe në protestën e fundit në Boston.

"Të ndihmosh në përpjekjet për të frymëzuar përçarjet sepse ky veprim mund të sjellë mbështetje nga baza juaj politike, kjo nuk është një formulë që e nxit vendin të përparojë dhe të kapërcejë shumë çështje me të cilat duhet të merremi tani."

Aftësitë udhëheqëse të Presidentit Trump janë duke u vëzhguar me kujdes, thotë analisti Hans Noel.

"Për shumë njerëz, mendoj se kjo zbulon një lloj paaftësie për të naviguar në çështje të vështira, një paaftësi për të qenë një udhëheqës moral në çështjet e rëndësishme kur kjo është e nevojshme".

Zoti Trump gjithnjë e më shumë po u shkakton dilema republikanëve, thotë historiani Allan Lichtman.

"Ata nuk mund të jetojnë me të, sepse ai është bërë një barrë politike dhe mbi të gjitha ata janë të shqetësuar për mbijetesën e tyre politike. Nga ana tjetër, ata nuk mund të jetojnë pa zotin Trump, sepse kanë frikë se do të humbasin bazën e tij politike".

Presidenti Trump e filloi javën pa këshilltarin politik Steve Bannon, i cili u shkarkua të premten pas disa muaj përplasjesh të vazhdueshme me këshilltarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG