Lidhje

Marrëdhëniet Serbi-Maqedoni

  • Isak Ramadani

Autoritetet maqedonase thonë se nuk janë të vërteta pohimet serbe për përgjimin nga Shkupi të diplomatëve serbë. Sipas një ish diplomati çështja e UNESCO-s, që duket të ishte thelbi i problemit diplomatik, është vetëm një arsyetim i Beogradit për të shpërqendruar vëmendjen, ndërsa synimi është shtrirja e ndikimit serb në Maqedoni.

Autoritetet maqedonse i hedhin poshtë akuzat e Serbisë për përgjimin e personelit të ambasadës dhe zyrtarëve serbë. Ministri i jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov u tha gazetarëve se Maqedonia as ka dhënë urdhëra dhe as ka ndërmarrë aktivitetet inteligjinete kundër asnjërit prej vendeve fqinje.

Ministri maqedonas tha se qytetarët e Maqedonisë e dinë mirë se çfarë do të thotë përgjimi, duke rikujtuar skandalin e përgjimeve telefonike të publikuar nga LSDM para dy vitesh. Zoti Dimitrov tha se menjëherë pas notës së ambasadës serbe ishte përpjekur të kontaktonte me kolegun e tij, Ivica Daçiç por ai nuk i ishte përgjigjur. Madje komunikimi diplomatik mes dy ministrive, sipas tij, ende mungon.

Vendimi i Beogradit për të tëhequr ambasadorin dhe diplomatët nga ambasada serbe në Shkup këtu shikohet si një gjest tepër i ashpër.

Analistët vlerësojnë se Serbia përmes veprimeve të këtij lloji përpiqet të shtrijë ndikimin mbi fqinjin e saj të vogël jugor.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në OSBE, Arsim Zekolli thotë:

Duke gjykuar faktin se vetë gjesti dhe hapi i Beogradit zyrtar është vërtetë absurd dhe ndoshta i pashembullt në historinë e diplomacisë, mua nuk më kujtohen raste të tilla të tërheqjes së gjithë personelit të një ambasade, përveç në raste te shpalljes së luftës, dikton dhe faktin për të dhënë çfarëdo supozimesh se si do të zhvillohen gjërat më tutje. Por, një është e qartë, se me këtë hap të Beogradit, Serbia përgënjeshtroi rolin aq shumë të spikatur si një faktor stabiliteti dhe partner i besueshëm i perëndimit, pasi që me një gjest të tillë për destabilizimin e Maqedonisë, ajo e mohon këtë rol të pretenduar. Besoj se qëllimi i Beogradit me një hap të tillë dramatik për të forcuar pozitat e veta kundrejt përafrimit të raporteve ndërmjet Shkupit, Sofjes, Athinës dhe Tiranës, Serbia ndoshta mendon se do të përforcojë pozitat e veta në Maqedoni, por mendoj se do të ketë një kundër efekt, sepse Maqedonia do të vazhdojë rrugën e miqësisë me fqinjët me synimin e përshpejtimit të integrimit euro-atlantik. Është vetëm Serbia fajtore e vetvetes që me këmbëngulje refuzon çfarëdo ideje për anëtarësimin në NATO, ndërsa mundësinë për anëtarësim në BE e komplikon me qasjen jokonsrtuktive ndaj Kosovës dhe së fundi edhe ndaj Maqedonisë”, thotë ish-ambasadori i Maqedonisë në OSBE, Arsim Zekolli.

Zoti Zekolli thotë se çështja e votës së Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është vetëm një pretekst i Serbisë dhe se Beogradi nuk vepron në këtë mënyrë me vendet tjera fqinje, të cilat e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë e OKB-së. Ai thekson se çështja e votës për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është një përpjekje e Serbisë për shpërqendruar vëmendjen nga çështje të tjera.

“Serbia”, thotë ish-diplomati Zekolli, “nuk është në gjendje t’i përshtatet dhe t’i pranojë realitetet e reja në rajon”.

Analistët thonë se situata diplomatike do të krijojë probleme të reja mes Beogradit dhe Shkupit.

Dy ish-republikat jugosllave i bashkon Korridori i Dhjetë veri-jug dhe pothuaj se treg kryesor për eksportimin e mallarave kanë njëra tjetrën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG