Lidhje

Hjustoni dhe zona të tjera ende të rrezikuara nga stuhia


Zona përreth Hjustonit në Teksas, është ende e rrezikuar nga shirat e stuhisë historike tropikale që pritet të vazhdojnë për disa ditë ndërsa punonjësit e shpëtimit punojnë për të nxjerrë personat e bllokuar nga përmbytjet masive. Qyteti i katërt më i madh në Shtetet e Bashkuara, me 2.3 milionë banorë është ndër më të goditurit nga stuhia masive.

Jeta në Hjuston është paralizuar. Çdo autostradë kryesore për të hyrë dhe për të dalë nga qyteti është kthyer në lumë dhe dy aerportet e qytetit janë mbyllur. Deri tani është konfirmuar se dy vetë kanë humbur jetën nga stuhia.

Metereologët kishin parashikuar që stuhia e fuqishme që preku shtetin e Teksasit si uragan i kategorisë 4 të premten të sillte brenda natës 25 centimetra reshje shiu përreth Hjustonit. Në disa zona, stuhia ka shkaktuar deri në mbi 60 centimetra shi.

“Megjithëse erërat e uraganit janë dobësuar, dua të theksoj se ende nuk jemi jashtë rrezikut. Harvey vazhdon të jetë një stuhi e fuqishme dhe historike. Niveli i lumenjve në jug të Teksasit nuk do të ulet deri në fund të kësaj jave”, tha Elaine Duke, Sekretarja në Detyrë e Sigurisë Kombëtare.

Ajo shpehu shqetësimin për banorët e zonës. Kryemetereologu i Qendrës për Parashikimin e Motit në Shtetet e Bashkuara, Patrick Burke i tha Zërit të Amerikës se deri të mërkurën priten 40 deri në 60 centimetra të tjera shi.

Ai tha se reshje të tilla nuk ishin parë kurrë më parë dhe se dëmi ka qenë katastrofik.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se qendra e stuhisë po zhvendoset ndadalë drejt juglindjes dhe mund ta rikthejë atë përsëri në Gjirin e Meksikës gjatë ditës së sotme.

Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë njoftoi të hënën në mëngjes se po fillonte shkarkimin e kontrolluar të ujit nga dy rezervuarë për të shmangur rrezikun e përmbytjeve të mëtejshme.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se do të urdhëronte 1 mijë trupa të tjera të Gardës Kombëtare të shkonin në Hjuston sot, përveç 3 mijë anëtarëve që kanë shkuar gjatë fundjavës.

Meqenëse trajektorja e stuhisë ishte parashikuar në detaje para se të godiste Teksasin, po shtrohen pyetje se pse nuk ishin urdhëruar evakuime në masë.

Kryetari i Bashkisë së Hjustonit, Sylvester Turner tha se ishte e pamundur të bëheshin evakuime në shkallë të gjerë. Ai i mbrojti veprimet e tij duke thënë se do të kishte qenë çmenduri të bëhej një përpjekje për zhvendosje masive të miliona njerëzve në një kohë aq të shkurtër.

22 avionë patrullonin në hapësirën ajrore të Hjustonit dhe rrethinave të dielën, në gatishmëri për të ndihmuar njerëzit që ishin ngjitur në çatitë e shtëpive. Shpëtimet me helikopterë ishin diçka të zakonshme dhe disa të tjerë shpëtuan të largoheshin me kajak ose gomone.

Disa rafineri nafte në zonën e Hjustonit u mbyllën të dielën ndërsa stuhia vazhdonte, çka do të thotë se 12 për qind e kapacitetit të prodhimit të karburantit është ndërprerë, duke shkaktuar shqetësim për mungesa në sasinë e karburantit dhe ngritjen e çmimit të tij.

Harvey është uragani më i fuqishëm që godet Shtetet e Bashkuara që prej një dekade dhe Teksasin që prej 50 vjetësh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG