Lidhje

Përpjekjet e shpëtimit në Teksas

  • Zllatica Hoke

Niveli i ujit vazhdon të rritet në zonat e përmbytura në Teksas dhe Luiziana, duke shkaktuar atë që Shërbimi Kombëtar i Motit e quan një krizë të paprecedentë. Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe gati 30 mijë të tjerë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe janë vendosur në vendstrehime. Zyrtarët po vlerësojnë bashkëpunimin mes qeverisë federale dhe asaj vendore, grupeve private dhe qytetarëve të thjeshtë në përpjekjet për të shpëtuar jetë njerëzish. Presidenti Donald Trump ka mbërritur para pak minutash në Corpus Christi të Teksasit dhe po informohet për situatën.

Ekipet e shpëtimit me helikopterë po tërheqin njerëzit e bllokuar në zonat e përmbytura. Banorët përdorën varka të vogla për të arritur tek fqinjët e bllokuar në shtëpitë e tyre. Zjarrëfikësit iu bashkuan përpjekjeve të shpëtimit. Edmundo Venegas, në veri të Hjustonit i tha Zërit të Amerikës se ekipi i tij ndihmoi në evakuimin e një komuniteti të bllokuar nga uji.

"Po përdorim kamionët e ushtrisë, autobusët e shkollave dhe mjetet tona për t’i nxjerr të gjithë nga situata."

Banorët e evakuuar janë të lehtësuar.

"Jam me fat që erdhën të na nxirrnin, pasi mund të ishte shumë më keq. Shpëtova".

Dje presidenti Donald Trump lavdëroi punonjësit e emergjencave dhe të tjerë të përfshirë në përpjekjet e shpëtimit.

"Shohim fqinjët të ndihmojnë njëri tjetrin, miqtë të ndihmojnë miqtë, dhe të panjohurit të ndihmojnë të panjohurit dhe e sheh këtë kudo. Sheh një punë dhe dashuri të pabesueshme."

Presidenti premtoi mbështetje të plotë të qeverisë federale për pjesët e prekura në Teksas dhe Luiziana dhe tha se 8,500 punonjës federalë janë të përfshirë në përpjekjet e ndihmave në Teksas.

"Mëkëmbja do të dojë kohë dhe do të jetë një rrugë e vështirë. Qeveria federale do të jetë e gatshme dhe e aftë të ndihmojë në këto përpjekje."

Dëmtimi i shtëpive dhe infrastrukturës është tashmë i dukshëm, ndërkohë që shiu pritet të pakësohet pas disa ditësh. Por zyrtarët thonë se përparësia e tyre kryesore është shpëtimi i jetëve të njerëzve.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se puna për të rivendosur rrymën eelektrike do të fillojë në një ose dy ditë.

"E dimë se një nga nevojat më të mëdha është rivendosja e energjisë elektrike. Pa të është e vështirë të funksionosh dhe ne po punojmë për këtë. Duam të sigurojmë që ushqimi bazë dhe uji i pijshëm të jetë i mundur për të gjithë njerëzit në nevojë".

Presidenti Trump miratoi gjithashtu fonde të emergjencës për shtetin fqinj të Luizianës të hënën me kërkesë të guvernatorit John Bel Edwards.

“Natyrisht presim që rreshjet të vazhdojnë gjatë gjithë kohës dhe ndërsa stuhia lëviz në lindje presim që edhe shirat të lëvizin. Pra nuk kemi pare akoma më të keqen për Luizianën."

Propozimi i buxhetit nga administrata Trump i paraqitur në mars parashikonte shkurtime të mëdha në programet e ndihmave për përmbytje dhe emergjencat federale. Por presidenti tha se përpjekjet e shpëtimit në Teksas dhe Luiziana do të kërkojnë miliarda dollarë ndihma që duhet të miratohen nga Kongresi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG