Lidhje

Shqipëria dhe papunësia e rinisë


Në Shqipëri papunësia e të rinjve është 30 për qind dhe një nga problemet kryesore të shoqërisë.

Pjesa dërrmuese e të rinjve thonë se janë gati të emigrojnë sapo t'u jepet një mundësi. Megjithatë ka organizata, që përpiqen të ngjallin aktivizmin dhe vullnetarizmin në komunitet.

Papunësia në radhët e të rinjve shqiptarë është shndërruar në një problem kryesor social. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 30 për qind e të rinjve nga 15-29 vjeç janë të papunë dhe afro 70 për qind e tyre janë gati të emigrojnë në rastin më të parë, nëse do t'u jepej mundësia.

Më shumë se 400 të rinj nga gjithë vendi morën sot pjesë në Festivalin e Rinisë për Drejtësi Sociale, që zhvilloi Organizata World Vision, për të nxitur aktivizmin dhe ndërgjegjësimin e administratës dhe shoqërisë ndaj vështirësive që ndesh rinia shqiptare sot.

“Vëzhgimet tona tregojnë për skepticizëm dhe humbje të perspektivës nga të rinjtë pikërisht për shkak të papunësisë dhe mosangazhimit në komunitet” - tha Toni Gogu, drejtues i World Vision.

Të rinjtë, sipas tyre, po përballen me mungesa mundësish, me politika të paqarta sociale dhe ekonomike dhe mospërfillje nga institucionet vendimmarrëse për çështje, që ndikojnë në jetën e tyre.

Por megjithë vështirësitë e mëdha, ata ndërrmarrin nisma vullnetare në komunitetet ku jetojnë për të ndihmuar më të varfërit.

Një pjesë e të rinjve kërkojnë të punësohen, një pjesë tjetër emigrojnë në shtete të tjera për t'iu larguar varfërisë, dhunës në familje, ku më e lehtë është të punësohen fëmijët.

Sipas studimit të World Vision, mbi 28 për qind e fëmijëve nga 12 deri në 18 vjeç pranojnë se janë futur në punë për t'i siguruar para familjeve, ndërsa 70% e fëmijëve në Shqipëri janë të ekspozuar ndaj një forme dhune.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG