Lidhje

Ish ambasadori Christopher Hill komenton mbi Phenianin

  • Zllatica Hoke

Ish ambasadori amerikan në Korenë e Jugut Christopher Hill thotë se udhëheqësi aktual i Koresë së Veriut nuk duket të jetë i interesuar për bisedime lidhur me programin bërthamor. Zoti Hill ishte pjesë e ekipit amerikan të negociatorëve në bisedimet e mëparshme gjashtë-palëshe, të cilat synonin të bindnin vendin komunist, të ndërpriste programin e armëve bërthamore në këmbim të ndihmës dhe energjisë. Në një intervistë për shërbimin kinez të “Zërit të Amerikës”, ish ambasadori tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një ekip më të fortë diplomatik për të trajtuar këto çështje.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka kryer më shumë prova me raketa sesa babai apo dhe gjyshi i tij. Ish ambasadori amerikan në Korenë e Jugut Christopher Hill i tha “Zërit të Amerikës” se Kim Jong Un duket të jetë një udhëheqës më agresiv.

"Ai nuk merr asnjë përgjegjësi lidhur me faktin se Koreja e Veriut në shtatorin e vitit 2005 ra dakord të heqë dorë nga të gjitha programet e saj bërthamore".

Sipas ish ambasadorit Hill do të ishte naive të mendoje se në 50 vitet e fundit, Koreja e Veriut ka punuar për një program armësh bërthamore për qëllime mbrojtjeje.

"Ata punojnë për sisteme për sulm dhe armët bërthamore luajnë një rol në këtë drejtim. Mendoj se ajo që po përpiqen të bëjnë është krijimi i një rrethane që do t’u mundësonte largimin e SHBA-së nga gadishulli Korean në mënyrë që të bashkoheshin me Korenë e Jugut sipas kushteve të tyre".

Diplomati amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë rënë kurrë dakord dhe as nuk duhet të negociojnë mbi nevojën e zhvillimit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, siç sugjerohet nga Kina dhe Rusia. Ai tha se u ka shpjeguar diplomatëve të Koresë së Veriut, gjatë bisedimeve që ka zhvilluar me ta, se Pheniani nuk duhet të shqetësohet se do të sulmohet.

"Të gjithë skenarët që lidhen me këto stërvitje kanë filluar me premisën se Koreja e Veriut ka pushtuar Korenë e Jugut dhe jo e kundërta. U shpjegova koreano-veriorëve se këto stërvitje kanë qëllime mbrojtjeje si dhe u thashë se ndihem i keqardhur që nuk i kemi zhvilluar ato edhe në verën e vitit 1950, kur Koreja e Veriut sulmoi Korenë e Jugut".

Në lidhje me provat me raketa të Koresë së Veriut, zoti Hill thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta përdorin programin e mbrojtjes nga raketat si zgjidhje e fundit.

"Koreano-veriorët mund të marrin informacion në lidhje me trajektoret e raketave tona dhe se si ato funksionojnë. Ndaj dhe duhet t’i ruajmë për një moment kur mendojmë se raketat e Koresë së Veriut janë një kërcënim i drejtpërdrejtë".

Zoti Hill thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkojnë forcat me Kinën dhe fqinjët e tjerë të Koresë së Veriut për gjetur zgjidhje diplomatike që do të ndalnin programin bërthamor të Phenianit. Por sipas tij një takim i nivelit të lartë i presidentëve të SHBA-së dhe Kinës, duhet të përgatitet mirë.

"Nuk do të quhej gati nëse Presidenti amerikan Trump ulet dhe nis të flasë për Korenë e Veriut. Duhet të paraprihet nga një mision diplomatik si ai që zhvilloi ish sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger në Kinë, përpara vizitës së Presidentit Richard Nixon"

Sipas ish diplomatit momentalisht, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka një ekip të aftë për të punuar në këto çështje të rëndësishme dhe se është tejet kritike që të formohet sa më parë të jetë e mundur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG