Lidhje

Në pritje të modelit të ri iPhone


Klientëve besnikë të kompanisë Apple nuk do t’u duhet të presin më gjatë për të parë se çfarë do t’u ofrohet këtë vit. Kompania pritet të zbulojë iPhonin e ri gjatë një aktiviteti të martën. Këtë vit mbushen edhe plot 10 vjet nga koha kur aparati i parë iPhone iu paraqit publikut në vitin 2007.

Ndoshta pak njerëz e kuptuan se sa shumë do të ndryshonte botën momenti kur një dekadë më parë Steve Jobs paraqiti iPhonin e parë. Tani, ndjekësit besnikë të kompanisë Apple, si dhe ekspertët e teknologjisë po presin të shohin nëse kompania me qendër në Kaliforni do të mund të krijojë sërish një moment të tillë.

Si zakonisht, kompania Apple e cila njihet për ruajtjen e sekretit, nuk ka nxjerrë detaje. Prishmëritë janë se do të paraqitet një iPhone shumë i ndryshëm, ndoshta me ekran më të madh, por edhe me një çmim të lartë në rreth 1 mijë dollarë.

“Ky është 10-vjetori i iPhonit. E kemi shijuar këtë teknologji për një dekadë. Nëse Apple dëshiron të shpalosë vizionin e saj se si do të duken 10 vitet e ardhshme, ky është momenti i duhur. Pra, të gjithë po presim një zbulim madhor. Është bërë gjithnjë e më vështirë të mahnisësh audiencën, të fitosh klientë të rinj dhe të ruash ndjekësit besnikë”, thotë Charlene Li, analiste pranë Grupit “Altimeter”.

Analistja thotë se Apple do të përqëndrohet më shumë edhe tek i ashtuquajturi “realitet i shtuar virtual” që kërkon shumë punë për lente të reja dhe programe të komplikuara. Apple ka dhënë shenja se synon të udhëheqë tregun e ardhshëm të realitetit të shtuar. Gjithashtu, kompania do të mundohet të zmadhojë ekranin, diçka që e kanë bërë tashmë firma të tjera konkurente.

“Apple nuk ka synuar ndonjëherë që të ketë parametrat më të lartë për lojërat. Siç e dini, iu desh kohë që të rriste memorien RAM, baterinë, dhe gjëra të tjera që telefonat Android e patën bërë më parë. Apple përqëndrohet më tepër tek krijimi i eksperiencës së përdoruesve, të cilën të mund ta përshtasë sipas përfytyrimit të vetë kompanisë”, thotë Michael Josh Villanueva, botues i “GadgetMatch”.

Pritet megjithatë që për shkak të përparimit të shpejtë të teknologjisë, edhe Apple të përpiqet të befasojë me produkte të reja.

“Të gjitha kompanitë po prodhojnë aparate të shkëlqyera që ia kalojnë asaj çfarë ka arritur iPhone 7-ta. Kështu që ndoshta mënyra e vetme që të arrijnë diçka të veçantë, do të ishte që të prezantonin një paisje super luksoze të teknologjisë së lartë”, thotë Nicole Scott, botuese e “Mobile Geeks”.

Aktiviteti i shumëpritur që Apple do të organizojë nesër, do të zhvillohet për herë të parë në Teatrin “Steve Jobs”, në selinë e re të kompanisë në Cupertino të Kalifornisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG