Lidhje

Qeveria e re e Kosovës fillon punën

  • Leonat Shehu

Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori edhe zyrtarisht detyrën nga ish-kryeministri, Isa Mustafa. Kalimi i pushtetit u bë në një ceremoni solemne të përcjellë nga parakalimi i Gardës së Kosovës.

Ish kryeministri Mustafa, i lëshoi zotit Haradinaj, karrigen prej nga kishte qeverisur Kosovën për gati tri vjet.

Pak çaste pas ceremonisë, kryeministri Haradinaj priti në takimin e parë në këtë post ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie.

Ambasadori Delawie tha pas takimit se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin një Kosovë sovrane, demokratike, shumë etnike, të begatshme dhe në paqe me fqinjët e saj. Ai tha se përparësitë e politikes amerikane kundrejt Kosovë do të vazhdojnë të mbeten të njëjta.

“U bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të rinj të Kosovës qoftë në qeveri, qoftë ministrave apo anëtarëve të parlamentit që të vendosin së pari interesat e shtetit të tyre. Nuk ka kohë për të humbur, bota po lëvizë, Evropa po lëvizë dhe Kosova duhet të lëvizë gjithashtu, pra duhet të merren vendime të rëndësishme për të siguruar që Kosova mbetet në rrugën euro-atlantike”, tha ambasadori Delawie.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje udhëheqësve të institucioneve që të vazhdojë përpara në rrugën e saj evropiane.

"Kosova përballet me sfida të vështira, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësi të lartë dhe cilësi të dobët në sistemin arsimor”.

“Këto janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi", thuhet në deklaratën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ku bëhet thirrje për vazhdimin e reformave në mënyrë që të çohen përpara proceset integruese.

Të shtunën parlamenti i Kosovës votoi formimin e qeverisë së re që do të drejtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj. Me këtë votim ju dha fund boshllëkut gati tre muajsh.

Kjo është hera e dytë që Ramush Haradinaj zgjidhet kryeministër i vendit, ndërsa koalicioni përbëhet nga një numër i madh i partive politike. Marrëveshja për bashkëqeverisje e partive në pushtet, vazhdon të kritikohet nga lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, të cilat e kanë cilësuar koalicionin e ri të dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG