Në Tiranë u mbajt sot, takimi i Komitetit Ushtarak të Natos, i cili ka bërë bashkë Shefat e Shtabeve të përgjithshme të vendeve anëtare. Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e lartë ushtarake kanë diskutuar mbi një seri temash, që nga rezultatet në luftën kundër terrorizmit te angazhimi në Iraq e Afganistan dhe situata në Ballkanin perëndimor. Për kryeministrin shqiptar Edi Rama, rajoni i Ballkanit është dëshmia e influencës së Natos për stabilitetin dhe paqen.
Komiteti Ushtarak i Natos është organi ndërlidhës mes udhëhqjes politike të aleancës dhe strukturave të saj ushtarake. Të mbledhur në Tiranë, Shefat e Shtabeve të Përgjithshme të vendeve trajtuan disa çështjeve gjatë takimit të sotëm. Ata kanë diskutuar gjatë paradites për zbatimin e mëtejshëm të konceptit të “Projektimit të stabilitetit”, me në fokus arritjen e objektivave strategjik afatshkurtër dhe afatmesëm dhe koherencën e veprimeve të Aleancës. Në këtë kuadër është marrë në analizë, përparimi i bërë në luftën ndaj terrorizmit, angazhimi në Iraq dhe gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Komiteti ofroi rekomandimet e tij për vazhdimin e misionit Resolute Support, në Afganistan ku siç u shpreh kryetari i këtij organizmi, gjenerali çek Petr Pavel “situata e sigurisë në terren mbetet ende ekstremisht sfiduese”. Po ashtu diskutimet kanë përfshirë dhe misionin e KFOR-it në Kosovë. “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë atje aq gjatë sa të jetë e nevojshme duke qenë se nga siguria dhe stabiliteti në këtë rajon përfiton stabiliteti dhe siguria në Europë ”, u shpreh gjenerali Pavel.
Në fjalën e tij përshëndetëse në hyrje të takimit, kryeministri Edi Rama nënvizoi rolin që Nato ka patur dhe ka për Ballkanin: “Ky rajon është sot pasqyra më kuptimplotë e influencës së Natos në konsolidimin e përspektivës së paqes stabilitetit e demokracisë brenda për brenda vetë vendeve që janë pjesë ose aspirojnë të bëhen pjesë e këtij klubi”.
Kryeministrit shqiptar vlerësoi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit, ku një sërë vendesh sapo kanë dalë nga zgjedhjet e reja politike, ndërsa nënvizoi përpjekjet e sukseshme kundër shfaqjeve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. "Tani është koha më e mirë që ky momentum i krijuar, të shfrytëzohet për thellimin e mëtejshëm të proceseve integruese në rajon që konsiderohen si alternativë e vetme për një të ardhme të sigurt për të gjithë popujt e rajonit dhe ne besojmë fort se vetëm integrimi i plotë euroatlantik i vendeve të mbetura ende jashtë është rruga për stabilitetin e stabilizimin e Ballkanit por dhe vetë Europës”, u shpreh zoti Rama.
Pavarësisht burimeve të kufizuara, “Forcat e Armatosura shqiptar do të jenë të pranishme në çdo rast dhe front ku ato do të jenë të thirrura”, theksoi kryeministri. Një ditë më pare, gjatë takimeve me përfaqësuesit e lartë ushtarakë të Natos, ministrja shqiptare e Mbrojtjes Olta Xhaçka, bëri të ditur “vullnetin e qeverisë shqiptare për të shtuar me një togë numrin e ushtarakëve shqiptarë në misionin Resolute Support, në përgjigje të kërkesës së strategjisë së re të presidentit amerikan Donald Trump për Afganistanin”.
Mbledhja e Komitetit ushtarak të Natos u mbyll sot në mbrëmje me zgjedhjen e drejtuesit të ri të këtj organizmi. Pasuesi i gjeneralit cek Petr Pavel do të jetë, duke nisur që nga qershori i vitit të ardhshëm, gjenerali britanik Sir Stuart Peach, 61 vjeç, Shefi i Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura britanike. Ai mund të fitojë garën me homologun e tij hollandez, gjeneralin Tom Middendorp, 56 vjeç, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë italiane gjeneralin Claudio Graziano, 63 vjeç.
Facebook Forum