Lidhje

SHBA, disa qytete mbështesin Marrëveshjen për Klimën


Shtëpia e Bardhë ripohoi të hënën angazhimin e saj për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke thënë se marrëveshja përmban pengesa serioze për Shtetet e Bashkuara. Por në nivel shtetëror dhe lokal, zyrtarët amerikanë thonë se po përpiqen për pakësimin e ndotjeve dhe nxitjen e burimeve të pastra energjitike, madje edhe pa pjesmarrjen e Uashingtonit.

Shtëpia e Bardhë rikonfirmoi të hënën tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, vendim i bërë i ditur nga Presidenti Trump në muajin qershor.

“Marrëveshja e Parisit për Klimën është thjesht shembulli më i fundit i Uashingtonit për futjen në një marrëveshje të pafavorshme për Shtetet e Bashkuara, në dobi ekskluzive të vendeve të tjera, duke lënë punonjësit amerikanë dhe taksapaguesit që të përballojnë koston nga vendet e humbura të punës, pagave më të ulëta, fabrikave të mbyllura dhe zvogëlimi i shumtë i prodhimit ekonomik.”

Por në një takim të hënën të udhëheqësve të qyteteteve dhe shteteve ndërsa vazhdojnë punimet e Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pikpamjet ishin të ndryshme. Patricia Espinosa është me Konventen e Përgjithshme të Kornizës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

“Nga infrastruktura tek financimi, mundësitë janë pafund. Kjo përfshin përdorimin më të madh të autobusëve elektrikë sikurse kemi parë në qytetin e Bonit në Gjermani ku do të zhvillohet takimi i ardhshëm i OKB-së për klimën. Ose ndërtesa më efikase duke përdorur materiale të qëndrueshme ashtu siç po shohim në shumë qytete në Indi.”

Guvernatori i Kalifornisë Jerry Brown tha se qytetet dhe shtetet ende mund të bëjnë një ndryshim të thellë për klimën, pa mbështetjen e administratës së Presidentit Trump.

“Për shkak se sistemi ynë i kontrollit dhe balancës ka shumë qendra pushteti në biznes, në shtete, apo edhe për shkak të ndikimi të vendeve të tjera, ai nuk do të ketë sukses në drejtimin që po ndjek.”

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, propozoi shkurtime dramatike të gazeve që shkaktojnë efektin serë, duke detyruar pronarët që të përmirësojnë sistemet në ndërtesat e vjetra. Me arritjen e kësaj, tha zoti de Blasio, do të pakësohej ndotja e barabartë me heqjen nga përdorimi të 900 mijë makinave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG