Lidhje

Një aplikacion që ofron turet më të mira të shijes


Në Berlin mund të bësh ture kulinarie nëpër qytet me ndihmën e telefonit. Bitemojo është një aplikacion, i cili i çon turistët drejt perlave të kuzhinës në kryeqytetin gjerman. Ashtu si vetë qyteti që është kthyer në një qendër të gatimeve novatore të frymëzuara nga një numër traditash gatimi, edhe këto ture janë një pasqyrë e larmisë kulturore të Berlinit.

Shumë kryeqytete ofrojnë ture kulinarie, por këto udhëtime të organizuara më përpara dhe të mirëstrukturuara nuk ofrohen për këdo.

Disa njerëzve s’u pëlqejnë grupet e mëdha me njerëz, ata parapëlqejnë të eksplorojnë të vetëm, në paqe; ndonjëherë, thjesht nuk u pëlqen të dëgjojnë guidën turistike.

Aplikacioni Bitemojo i orienton vizitorët e vendasit në turet kulinare të kryeqytetit gjerman.

Aktualisht, ka tre ture në Gjermani: njëri është “trendy” dhe bëhet për distriktin e Prenzlauerit, një tur tjetër, në Charlottenberg, është “romantik” dhe turi “multikulturor” bëhet për distriktin e Kreuzberg-ut.

Sot, Victor Alaluf, një artist dhe bloger 41 vjeçar argjentinas po e provon aplikacionin për herë të parë.

Atë e shoqëron Tamar Gablinger, administrator i Bitemojos për Gjermaninë.

Alaluf ka zgjedhur turin “multikulturor” në distriktin e Kreuzberg-ut.

Turi fillon në një restorant polak, ku Alaluf, me një klik të shpejtë në aplikacion, porosit perogi, një lloj petulle të mbushur tradicionale. Pasi ka shijuar perogit, Aalaluf mund të largohet, pasi fatura është paguar paraprakisht nëpërmjet aplikacionit.

Turi vazhdon në një stendë turke në treg, ku Alaluf provon një pjatë me meze të përzgjedhura: ullinj, salcë domatesh të thara dhe bukë turke.

Ritmin e ka tërësisht në dorë porositësi i turit, i cili vendos nëse dëshiron të hajë shpejt apo ngadalë.

Aplikacioni i njofton paraprakisht restorantet se porosia, që është thjesht një porcion i vogël sa për të shijuar gatimin unik, të jetë gati në momentin që klenti vjen në restorant.

“Bitemojo u jep mundësi turistëve të provojnë e shijojnë ushqim tradicional kudo, por edhe të shikojnë njëkohësisht vende interesante, sipas itinerarit që kanë zgjedhur”, thotë Gablingeri.

Çdo tur zgjat tre orë dhe ka të paktën pesë ose gjashtë ndalesa. Aplikacioni është falas, por kostot për të porositur ushqimet variojnë nga 20 në 25 euro.

Turet nisën vitin e kaluar, nga Berlini, por tani i gjen edhe në Tel Aviv, Jeruzalem, Romë e Barcelonë.

“I respektojmë turet me guidë, por ky aplikacion është për ata që duan të jenë fleksibël e që s’kanë kohë. Ose ata që duan të bëjnë gjysmën e turit në fillim, pastaj ta vazhdojnë një ditë tjetër. Diçka që Bitemojo e bën të mundur”, thotë Gablinger.

Ndalesa e radhës për Alaluf është në barin “Jo vetëm Riesling”, i specializuar në verërat gjermane.

Pasi i tregon telefonin pronarit, Frank Boehm, atij i servirin verë Kreuzberg Blac de Noir.

Pas kësaj, Alaluf shkon në një bar italian, ku ka porositur kafe me akull.

Deri më tani, ai është shumë i kënaqur me shërbimet.

“E përdor këtë aplikacion për herë të parë dhe më pëlqen. Mund të gjesh ushqim të mirë me vetëm një klikim”, thotë ai.

Berlini është i famshëm për currywurst. Ky qytet pretendon se është vendlindja e asaj që ndryshe mund të quhet salsiçe me erëza.

Sipas Christian Taenzler, zëdhënës i shërbimit promovues Visit Berlin, turi multikulturor i shkon për shtat Berlinit, i cili vitet e fundit ka përjetuar një fluks ushqimesh të reja.

Ai thotë se Berlini nuk përfaqësohet më vetëm me currywurst-in apo doner kebabin. “Pesë vitet e fundit, larmia e ushqimit e shijes ka ndryshuar ndjeshëm”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG