Lidhje

Kancelarja Merkel drejt mandatit të katërt


German Chancellor Angela Merkel, a top candidate of the Christian Democratic Union Party (CDU) for the upcoming general elections, speaks at an election rally in Schwerin, Germany, Sept. 19, 2017.

Në dallim nga zgjedhjet e ashpra në Francë dhe ato të zhurmshme në Britani, fushata për zgjedhjet federale në Gjermani ka qenë e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Me vetëm dy ditë të mbetura përpara votimit, Angela Merkel duket se po shkon drejt mandatit të saj të katërt si kancelare e Gjermanisë.

Të shtangur nga votimi për Brexit, daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, si dhe nga zgjedhja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, gjermanët nuk duket se janë të gatshëm të rrezikojnë. Anketimet përpara votimit tregojnë se gjermanët dëshirojnë që vendi i tyre të vazhdojë të ruajë qëndrueshmërinë dhe begatinë.

Sllogani i fushatës së zonjës Merkel mund të kishte qenë thjesht “Nëna mendon për të mirën”. Por, sllogani i saj zyrtar është paksa më revolucionar: “Për një Gjermani ku jetojmë mirë dhe të lumtur”.

Kancelarja po përqëndrohet tek pikat e saj të forta, si dhe tek kundërshtimi i elektoratit ndaj ndryshimeve të panjohura. Rivalët e saj kryesorë, Social Demokratët, janë parapërgatitur tashmë për një rezultat të zymtë, madje ndoshta edhe për numrin më të ulët të votave që nga viti 2009.

Fushatës së tyre elektorale i mungoi gjallëria dhe ata nuk mundën ta diferencojnë veten nga forca aleate bashkëqeverisëse, partia Kristian Demokrate e zonjës Merkel, e cila shfaqet si një kancelare e shkathët që po hedh hapa të sigurtë në kulmin e saj politik. Zonja Merkel ofron diçka për të gjithë dhe ka tërhequr elektorat nga mbarë spektri politik, duke e paraqitur veten si një politikane që nuk i beson një ideologjie të caktuar. Ajo është shprehur se “jam pak liberale, pak kristian-demokrate dhe pak konservatore”.

Megjithatë, Evropa po vëzhgon me vëmendje ndërsa gjermanët do t’u drejtohen kutive të votimit ditën e dielë.

E panjohura kryesore është se nuk dihet se çfarë koalicioni do të krijojë zonja Merkel pasi të jenë numëruar votat.

Forma që do të marrë koalicioni do të ketë pasoja të rëndësishme për reformat e thella që kërkon Presidenti francez Emmanuel Macron, për Bashkimin Evropian. Pasojat mund të jenë më të mëdha nëse në koalicionin qeveritar do të përfshihen Demokratët e Lirë, një forcë e rigjallëruar politike që është në favor të tregut të lirë. Ata po paraqiten me një imazh të ri, nën udhëheqjen e një 38-vjeçari karizmatik, Christian Lindner, duke kundërshtuar tashmë një integrim dhe centralizim më të madh të Bashkimit Evropian.

Zoti Lindner e ka bërë të qartë se për Demokratët e Lirë do të ketë një vijë të kuqe që nuk mund të shkelet gjatë negociatave për koalicionin qeverisës. Partia e tij do të kundërshtojë miratimin e një buxheti të përbashkët për Eurozonën, siç ka kërkuar Presidenti francez.

Gjatë një interviste të dhënë këtë javë, zoti Lindner u shpreh se “nuk e kemi zili zotin Macron dhe partnerët e tjerë për evropianë për sukseset e tyre. Por, një buxhet për Eurozonën do të ishte një lloj skeme barazie fiskale të përhershme dhe një union transfertash që do të rrezikonte të ardhmen e Evropës. Nëse nuk arrijmë të ndryshojmë diçka, atëherë do të kalojmë në opozitë”.

Aspekti i dytë që evropianët do të ndjekin me vëmendje është se çfarë rezultati do të arrijë në votime forca e së djathtës së largët, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Nuk dihet ende nëse kontinenti evropian ka arritur tashmë kulmin e ndjesive populiste anti-emigracion dhe anti-BE, apo nëse kjo është ende një valë që do të vazhdojë të forcohet.

Treguesit janë se AfD-ja do të marrë rezultate të mjaftueshme për të siguruar për herë të parë vende në Bundestag. Ekzistojnë madje gjasat që ajo të marrë 60-85 vende në parlament, duke u bërë kështu forca e tretë më e madhe, pas Kristian Demokratëve dhe Social Demokratëve. Nëse ndodh kështu, kjo do të jetë hera e parë që një forcë nacionaliste reaksionare do të gjendet e pranishme në parlamentin gjerman, që kur nazistët shkatërruan Reichstag-un në vitin 1933.

Nëse AfD-ja do të zhvendosej drejt zemrës politike të kryeqytetit më të rëndësishëm evropian, atëherë do të ringjalleshin edhe rrymat populiste të Evropës, të cilat shpresonin se përfaqësues të ideologjisë së tyre do të merrnin këtë vit ndonjë nga qendrat kryesore të pushtetit në Evropën perëndimore.

Mundja e Marine Le Pen nga Emmanuel Macron gjatë zgjedhjeve presidenciale franceze, si dhe rezultati i ulët prej 13% i Geert Wilders gjatë votimeve në Hollandë, i tronditi shpresat e tyre. Nëse ligjvënësit e AfD-së do të zinin vend në Bundestag, kjo do të shërbente si një ngushëllim dhe si një arritje e rëndësishme për një forcë politike që u krijua vetëm katër vjet më parë në formë proteste kundër shpëtimit financiar që BE-ja i ofroi Greqisë.

Zonja Merkel është munduar të dobësojë mesazhin tërheqës të AfD-së. Ajo e hapi fushatën e saj në qershor, me sfondin e ngjyrave të flamurit kombëtar – e zeza, e kuqja dhe e verdha. Ky ishte një hap i pazakontë në një vend që ende përndiqet nga e kaluara e tij naziste dhe që i pret gjithnjë me nervozizëm shfaqjet e hapura të patriotizmit.

Madje burime të brendshme thonë se pas numërimit të votave, zonja Merkel mund të vendosë të mos formojë koalicion qeverisës me Social Demokratët, pikërisht për të mos inkurajuar populistët.

Nëse Social Demokratët do të ishin pjesë e kabinetit qeveritar, partia e së djathtës së largët AfD do të transformohej nga një parti kundër tregut të përbashkët, në një grupim të vërtetë anti-emigracion. Ajo do bëhej kështu edhe zyrtarisht grupi më i madh opozitar në Bundestag, duke përfituar pushtet domethënës parlamentar, si p.sh. kryesimin e komisioneve për buxhetin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG