Lidhje

Rohuani: Marrëveshja me Iranin, e panegociueshme


E ardhmja e marrëveshjes së vitit 2015 me Iranin po diskutohet gjerësisht nga udhëheqësit e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer njofton nga OKB-ja se presidenti iranian këmbëngul se nuk është e rinegociueshme, ndërsa Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ka vendosur nëse do t’i nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja shumëplalëshe.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani u tha udhëheqësve botërorë se marrëveshja bërthamore përfshin të gjithë komunitetin ndërkombëtar, jo vetëm një ose dy vende:

“Unë deklaroj para jush se Republika Islamike e Iranit nuk do të jetë vendi i parë që do të shkelë marrëveshjen; por do të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga çdo palë tjetër. Do të jetë për të ardhur keq nëse marrëveshja shkatërrohet nga të sapoardhur të papërpunuar në politikën botërore”.

Batuta e zotit Rouhani i drejtohej Presidentit Trump, që u tha udhëheqësve botërorë një ditë më herët, se marrëveshja që e ndalon Iranin të prodhojë armë bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike, ishte një nga transaksionet më të pafavorshme që kanë nënshkruar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara.

“Ta themi hapur, marrëveshja është një turp për Shtetet e Bashkuara dhe nuk mendoj se e është thënë fjala përfundimtare për të, më besoni” – tha zoti Trump.

Presidenti Trump tha të mërkurën se e ka marrë vendimin për marrëveshjen me Iranin.

Të pesta fuqitë e tjera të përfshira në negociatat e gjata, duan që marrëveshja të qëndrojë e pandryshuar.

“Dalja prej saj do të ishte një gabim i madh. Do të ishte e papërgjegjshme nga ana jonë që të mos ta respektojmë marrëveshjen, sepse është një marrëveshje e mirë, që është thelbësore për paqen, në një kohë kur nuk mund të mos shpërfillet mundësia e hapave prapa”- tha presidenti francez.

Në një konferencë për shtyp, presidenti Rouhani rikonfirmoi se as Irani nuk do që marrëveshja të dështojë dhe këmbënguli që nuk mund t’i bëhet asnjë ndryshim.

"Është një strukturë që nëse i heq një tullë, shembet e gjitha”.

Por ai paralajmëroi se një tërheqje e Shteteve të Bashkuara do ta ndryshonte krejtësisht ekuacionin.

“Nëse një palë del nga marrëveshja dhe shkel angazhimet e saj, kjo do të thotë se ne mbetemi krejtësisht të lirë që të ndërmarrim çdo lloj mase që mendojmë se sjell përfitim për vendin tonë”- tha zoti Rouhani.

Ndërkohë që marrëveshja rrezikohet të shpërbëhet, udhëheqësit vazhdojnë përpjekjet e tyre për të bindur administratën e zotir Trump që të mos ta prekë atë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG