Lidhje

SHBA, sanksione të reja ekonomike kundër Koresë së Veriut


Trump
Trump

Presidenti amerikan Donald Trump të enjten vendosi sanksione të reja ekonomike kundër Koresë së Veriut për kërcënimin e saj bërthamor, duke vënë në shënjestër individët dhe bizneset që financojnë tregtinë me regjimin e izoluar komunist të Phenianit dhe atyre që financojnë zhvillimin e armëve.

Presidenti amerikan e ka quajtur programin bërthamor dhe atë të raketave balistike të Koresë së Veriut si "një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në botën tonë dhe është e papranueshme që të tjerët të mbështesin financiarisht këtë regjim mashtrues kriminal. Regjimi brutal i Koresë së Veriut nuk respekton qytetarët e vet dhe as sovranitetin e vendeve të tjera."

Në të njëjtën kohë, Presidenti Trump tha se banka qendrore e Kinës ka urdhëruar ndalimin e tregtisë me Korenë e Veriut, megjithëse nuk ka konfirmim të menjëhershëm nga Pekini, i cili për shumë kohë ka qenë partneri kryesor tregtar i Phenianit. Presidenti Trump, i cili prej kohësh ka kërkuar ndihmën e Kinës për kufizimin e programeve të prodhimit të armëve të Koresë së Veriut, përshëndeti lëvizjen e Pekinit.

Presidenti Trump tha se sanksionet e reja amerikane autorizojnë Departamentin amerikan të Thesarit që "të vërë në shënjestër çdo individ ose entitet që bën tregti të konsiderueshme në mallra, shërbime apo teknologji me Korenë e Veriut".

Presidenti Trump e bëri njoftimin mbi sanksionet e reja së bashku me Presidentin e Koresë së Jugut Mon Jae-in dhe kryeministrin japonez Shinzo Abe, të cilët përshëndetën veprimin amerikan, ndërsa po takoheshin gjatë punimeve të takimit vjetor të Asameblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG