Lidhje

Maqedoni, fillon fushata parazgjedhore


Sot në Maqedoni ka filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 15 tetor. Disa prej partive garojnë me kandidatë për kryetarë komunash edhe atje ku dihet se nuk fitojnë për shkak të përbërjes etnike të votuesve, por për të llogaritur në fund votat e përgjithshme të fituara në shkallë vendi. Procesi do të ndiqet nga 300 vëzhgues të Zyrës për të Drejta Demokratike – ODIHR dhe nga shumë vëzhgues vendas.

Fushatat parazgjedhore në Maqedoni zhvillohen me një ashpërsi, ku nuk mungojnë as parregullsi e incidente, ndërsa zgjedhjet vendore shikohen po aq të rëndësishme sa dhe zgjedhjet e përgjithshme. Fushata zgjat njëzet ditë. 19 parti politike dhe koalicione dhe 64 grupe e individë të pavarur garojnë në tetëdhjetë komunat e vendit dhe në Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative, për kryetarë komunash dhe për anëtarë të Këshillave Komunalë.

Risia e këtyre zgjedhjeve është pritja e partnerëve të pushtetit qendror, LSDM dhe BDI të mbështeten reciprokisht qysh në raundin e parë në disa komuna ku njëra ose partia tjetër nuk ka kandiduar përfaqësuesin e vetë, siç është rasti me Çairin e Shkupit, Kërçovën, eventualisht Tetovën, Gostivarin dhe Strugën ku fitojnë kandidatët shqiptarë apo me Shkupin, Kumanovën, Manastirin, Ohrin e Resnjën ku shqiptarët përbënjë pakica dhe komunat drejtohen nga kuadro maqedonas.

Nga ana tjetër, partitë rivale shqiptare janë bashkuar në garën e Këshillave komunalë në Manastir, Ohër apo Gazi Babë të Shkupit me një listë të përbashkët kandidatësh për të mos humbur ato pak vende që mund t’i marrin në këto Këshilla.

Gara nuk pritet të mbyllet në shumicën e komunave më 15 tetor, por pas balotazhit, dy javë më pas.

Fushata pritet të përqendrohet tek çeshtjet e mëdha politike dhe të drejtat ose diskriminimi i komuniteteve etnike, ndonëse problemet infrastrukturore lokale, sidomos ujësjellësi, kanalizimet dhe rrugët janë ato që kërkojnë zgjidhje të shpejtë nëpër komunat e Maqedonisë.

Procesi do të ndiqet nga treqind vëzhgues të misionit të OSBE-së, ODIHR, që tashmë ka hapur zyrën në Shkup dhe nga qindra pjesëtarë të organizatave të vendit dhe të shoqërisë civile.

Zgjedhjet e 15 tetorit paraqesin test për arritjet demokratike të Maqedonisë në rrugën e integrimit të saj drejt strukturave euro-atlantike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG