Lidhje

Ende i paqartë motivi për masakrën në Las Vegas

  • Michael Bowman

Policia në Nevada ende nuk ka zbuluar motivet e masakrës më të rëndë të kryer nga një person i vetëm në Shtetet e Bashkuara. Të paktën 59 vetë gjetën vdekjen dhe mbi 527 u plagosën gjatë një koncerti të muzikës country kur një person filloi të qëllonte pa ndërprerje mbi turmën në orët e vona të së dielës:

Policia thotë se personi i armatosur, Stephen Paddock nga qyteti Meskitë i Nevadës kishte mbi 20 armë në dhomën e hotelit në Las Vegas. Ai theu xhamat e dritareve të dhomës dhe filloi të qëllonte mbi turmën e grumbulluar për të ndjekur koncertin në sheshin para hotelit:

“Kemi gjetur 23 armë zjarri në hotelin Mandalay Bay dhe 19 armë zjarri në banesën e tij në Meskitë. Dua të theksoj se besojmë që i vetmi person përgjegjës për këtë akt të shëmtuar është Paddock. Kemi mësuar se po qarkullojnë zëra në median sociale dhe forume të tjera se kishte edhe bashkëpunëtorë të tjerë, por nuk kemi të dhëna që të mbështesin teori të tilla. Besojmë se masakra kishte vetëm një autor; ai ishte Stephen Paddock,” tha një përfaqësues i policisë së Las Vegasit.

Njerëzit u mblodhën për të kujtuar viktimat në Las Vegas dhe qytete të tjera të vendit. Ata që u intervistuan nuk dinë të gjejnë fjalët e përshtatshme për këtë akt:

“Na ka shokuar. Kishim pjesëtarë të ekipit tonë atletik në koncert. Tani thjesht po përpiqemi t’u qëndrojmë pranë,” thotë një studente e Universitetit të Nevadës.

“Po nxirrja njerëz me sa mundesha: të gjallë, të vdekur. Shkova ndoshta 8 deri në 10 herë për të nxjerrë sa më shumë njerëz nga sheshi. Pasi u boshatis sheshi, qëndrova me forcat e rendit dhe ndoqa udhëzimet e tyre,” tregon një student i Universitetit të Nevadës.

Eric Paddock, vëllai i personit që identifikohet nga policia si autor i masakrës, thotë se është po aq i shtangur sa të gjithë të tjerët nga ky akt. Ai nuk di të ketë ndonjë motiv për veprimet e të vëllait dhe thotë se familja është “e tmerruar dhe e tronditur”.

Eric Paddock thotë se i vëllai ishte i pasur dhe se nuk dihej të kishte ndonjë përkatësi politike apo fetare, ose ndonjë lidhje me supremacistët e bardhë. Po sipas të vëllait, Stephen Paddock nuk kishte as ndonjë problem të diagnostikuar mendor.

Sipas autoriteteve federale nuk ka sinjale apo të dhëna për kërcënim ndaj skenave publike në të ardhmen e afërt, megjithatë mund të shtohen masat e sigurisë në aktivitete publike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG