Lidhje

Krimi i organizuar, Rama: Shumë shpejt goditja e Policisë


Kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “shumë shpejt do të shihni një zinxhir të pandërprerë veprimesh të Policisë së Shtetit për të goditur organizatat kriminale dhe elementët kriminalë”. Deklarata e kryeministrit, e bërë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Fier, pason reagimet e shumta që provokoi deklarata e dy ditëve më parë e ambasadorit amerikan Donald Lu për situatën e krimit të organizuar në vend, luftën ndaj të cilit ai e cilësoi si “sfidën më të vështirë që Shqipëria ka përpara”. Ambasadori Lu theksoi se “drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht”. Ndërsa duke ju referuar raporteve të Departamentit amerikan të Shtetit ai tha se Shqipëria rezulton të jetë “qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave”. Sipas ambasadorit Lu “është koha që qeveria e Shqipërisë t’i shpallë luftë krimit të organizuar”.

Kryeministri u kujdes të nënvizonte se ai vetë kishte folur më parë për një fazë të re në luftën kundër krimit të organizuar kur kishte kërkuar që të goditen pasuritë e tyre. “Shumë mirë që e tha dhe ambasadori amerikan”, u shpreh zoti Rama, ndërsa paralajmëroi se “brenda pranverës së ardhshme do të kemi një situatë krejtësisht të re në përpjekjen kundër këtyre elementëve shqetësues për komunitetet dhe vendin”.

Sipas kryeministrit lufta ndaj grupeve kriminale do të shoqërohet dhe me përpjekjet “për të goditur të inkriminuarit brenda policisë sepse në zonat ku veprojnë këto lloj forcash ka inkriminim të policisë, që nuk ka ndodhur sot sepse këto forca e elementë nuk kanë lindur në 2013, nuk janë 4 vjeçarë. Mosha e tyre është goxha e pjekur dhe karriera është goxha e konsoliduar”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG