Lidhje

Përgjimet, Habilaj përmend disa herë Tahirin


Në Shqipëri publikimi i dosjes së përgjimeve të kryera nga autoritetet italiane të bisedave që anëtarët e organizatës italo-shqiptare që merrej me trafikun e drogës mes dy vendeve, ka thelluar më tej përmasat e çështjes e cila ka përfshirë ish ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri. Moisi Habilaj, njëri prej të arrestuarve, i cili rezulton të ketë një lidhje faresfisnore me zotin Tahiri, e përmend këtë të fundit në disa raste gjatë bisedave të tij. Ndonëse në përgjime përmendet vetëm emri Saimir, hetuesit italianë e identifikojnë atë pikërisht me ish ministrin shqiptar. Në një përmbledhje të përgjimeve të kryera në 16 dhjetor të viti 2013, mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, një tjetër anëtar i organizatës, hetuesit shkruajnë se “të dy flasin për një njeri të pushtetshëm me emrin Sajmir Tahiri (deputet në Shqipëri), njeri politik. Moisiu thotë se “ai ka më shumë se ne”. Sabi i përgjigjet duke thënë se Sajmiri ka vetëm emrin (në sensin e famës dhe pozitës), por nuk beson se ka më shumë para se ata. Moisiu përllogarit se Sajmiri në një muaj ka bërë 5 milion euro. Sabi thotë se ai paratë i lë për fushatën elektorale. Moisiu i thotë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milion në një fushatë”.

Në një bisedë tjetër të së njejtës ditë, përmendet fakti se kanë blerë bizhuteri të shtrenjta disa mijëra eurosh “për gruan dhe nënën e Saimirit”. Ndërsa në përgjimet e datës 2 mars 2014, sërish mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, të dy janë duke bërë llogaritë e shpenzimeve dhe pagesave që duhet të kryejnë, kur thonë mes të tjerash se “30 mijë euro duhet t’ia japin Sajmirit”.

Në një dalje për mediat dje pasdite, ndërsa deklaroi se do të kërkojë nga Prokuroria të hetojë dhe verifikojë gjithshka rreth tij dhe punës së tij, ish ministri u shpreh se “dy kriminelë që janë kushërinj të mij të shkallës së dhjetë, janë arrestuar për trafik droge dhe siç është bërë publike, pa hezituar të përdorin dhe emrin tim. Sigurisht kriminelë që përdorin emra politikanësh dhe ministrash,për tu mburrur me njëri tjetrin në dobi të fitimeve të paligjshme, ka pa fund dhe unë nuk jam as i pari dhe as i fundit”.

Ai mohoi të ketë patur lidhje me Habilajt. “As kam patur dhe as kam asnjë raport, aq më pak të paligjshëm, ndaj nuk kam asnjë përgjegjësi më shumë, prandaj dhe dënoj çdo veprimtari kriminale, të kujtdo, qofshin dhe këta kushërinj të gradës së dhjetë, që s’kanë hezituar të përdorin emrin tim”, u shpreh ish ministri i Brendshëm.

Zoti Tahiri ishte vënë nën akuzë për lidhjet e tij me Habilajt që dy vjet më parë. Ish zyrtari i policisw shqiptare, Dritan Zagani, kishte denoncuar publikisht aktivitetin e tyre të trafikut të lëndëve narkotike, duke hedhur dyshime se mbroheshin nga policia e Vlorës, për shkak të lidhjeve me drejtuesin e asaj kohë të ministrisë së Brendshme. Sipas Zaganit, akuzat e të cilit u hodhën poshtë që atëherë nga ish ministri, Habilajt, lëviznin me një automjet, tip “Audi” i cili ishte i zotit Tahiri. Ky i fundit kishte shpjeguar se ja kishte shitur automjetin Habilajve, ndërkohë që opozita pretendoi se ish ministri kishte udhëtuar me të njejtin automjet dhe pas periudhës në të cilën ai kishte kryer shitjen. Një fakt të tillë më pas e pranoi dhe vëllai i Moisi Habilajt, një ndër të arrestuarit në Itali. Dje zoti Tahiri tha se ndjente përgjegjësi morale “që kam bërë gabimin e madh dhe të vetëm që u kam shitur makinën personale. Nuk duhet të kisha neglizhuar kurrë të verifikoja kujt ja kisha shitur makinën”.

Por sipas ish zyrtarit të policisë shqiptare Zagani, i cili mbrëmë u intervistua nga Zvicra përmes një lidhje me emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan, lidhjet e zotit Tahiri me Habilajt kanë qenë të ngushta dhe se sipas tij ata kanë drekuar disa herë bashkë që përpara marrjes nga ana e tij të postit të ministrit të Brendshëm.

Përgjimet e kryera nga autoritetet italiane dëshmojnë se të paktën në Shqipëri aktiviteti i Habilajve ka vijuar i pa shqetësuar nga policia vendase dhe se ata kanë patur lidhje të forta. I tillë është rasti i bisedës që Moisi Habilaj zhvillon në tetor të 2013 me të vëllanë Florianin, i cili dyshohet se merrej me dërgimin e drogës drejt Italisë. Floriani i tregon në telefon se në Tiranë kishte takuar “shefin e madh” me të cilin kishin biseduar për disa shqetësime që ata kishin patur në aktivitetet e tyre, dhe se ai i kishte thënë të rrinin të qetë.

Opozita në Shqipëri ka ngritur fort zërin lidhur me këtë rast. Partia Demokratike ka kujtuar se ajo ka denoncuar me qindra herë lidhjet e zotit Tahiri me Habilajt, porse kryeministri Edi Rama kishte marrë gjithnjë në mbrojtje ministrin e tij. Por përmes një statusi në Facebook, zoti Rama u shpreh se pavarësisht mbështetjes që i ka dhënë zotit Tahiri “Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet”.

Në mbrëmje kreu demokrat Lulzim Basha u shfaq sërish para mediave duke theksuar se “Edi Rama e shiti Sajmir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij. Sepse, Tahiri ka qënë as me pak as më shumë se ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt, Shullazin dhe banda të tjera mafioze në vend”. Zoti Basha njoftoi se sot “PD do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar. Për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën. Po troket ora e vendimeve të mëdha”.

Qëndrimit të PD-së ju bashkua edhe LSI-ja. “Saimir Tahiri është një nga hallkat që lidh Edi Ramën me krimin por ka edhe shumë hallka të tjera që janë ende aty e që i drejton Edi Rama. Janë hallkat e krimit e trafikantëve por edhe të oligarkëve që me bekimin e Edi Ramës po pastrojnë paratë e krimit të organizuar”, deklaroi në një dalje për mediat kryetarja Monika Kryemadhi e cila tha se mbështet “qëndrimin dhe propozimin e kryetarit të PD,-së Lulzim Basha për tryezë të gjerë politike që do të përgjigjet me një aksion intensive dhe pa kompromis në luftën ndaj bandave dhe krimit në pushtet”. Menjëherë më pas, ajo së bashku me kreun e grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili u takua në selinë e demokratëve me zotin Basha për afër 60 minuta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG