Kriza politike në Spanjë është thelluar edhe më tej ndërsa ligjvënësit në parlamentin rajonal në Katalonia votuan për ta deklaruar zyrtarisht pavarësinë nga Madridi. Këto veprime kanë çuar në mundësinë për konfrontim me autoritetet katalane dhe kanë shtuar shqetësimet se kriza mund të kthehet në dhunë.
Në qytetin katalan, Girona, pamje të filmuara me telefon tregojnë heqjen e flamurit spanjoll nga bashkia ndërsa ndërtesa u mbulua me ngjyrat e flamurit katalanas.
Në një votim të bojkotuar nga opozita të premten, ligjvënësit rajonal votuan për shpalljen e pavarësisë nga Spanja. Presidenti i Katalonjës u bëri thirrje mbështetësve për paqe.
“Duhet të ruani vrullin e këtij vendi gjatë orëve në vazhdim, kryesisht kur flitet për paqen, përgjegjësinë qytetare dhe dinjitetin.”
Nga ana tjetër Madridi reagoi. Senatorët votuan futjen në fuqi të nenit 155 të kushteturës, që lejon qeverinë të shpërndajë parlamentin katalan. Pas një takimi emergjent të kabinetit, Kryeministri Mariano Rajoy njoftoi se do të vendoste sundim të drejtpërdrejtë në Katalonjë dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohëshme rajonale.
“Nuk është çështje e pezullimi të vetqeverisjes apo ndërhyrjes për ta ndaluar. Thjeshtë, është çështje e kthimit në normalitet të vetqeverisjes sa më shpejt të jetë e mundur. Normaliteti fillon me rikthimin e institucioneve legjitime dhe zërit të katalanëve.”
Kryeministri ka bërë thirrje për qetësi ndërsa situata është e mjegullt. Mireia Borrell Porta është me Shkollën Londineze të Ekonomisë dhe Shkencave Politike.
“Duket se zbatimi i nenit 155 do të jetë gradual, por ende nuk e dimë se çfarë do të thotë me futjen e ushtrisë apo të më shumë policëve. Padyshim, parlamenti dhe politikanët katalanë nuk mund të kontrollojnë gjithçka po ndodh nëpër rrugë.”
Ngazëllimi mes mbështetësve të pavarësisë është përzier me frikën e dhunës. Enric Cruz Vizcaino është zjarrëfikës në Barcelon.
“Gjthmonë paqësor. Kurr me dhunë. Kështu do të veprojmë.”
Por shpresat për zgjidhje politike po fashiten.
“Duket se shanset për dialog po ngushtohen. Padyshim ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Duket se gjërat do të ndryshojnë brenda disa orëve. Situata duket shumë e zymtë”, thotë Mireia Borrell Porta me Shkollën Londineze të Ekonomisë dhe Shkencave Politike.
Zhvillimet e shpejta e kanë befasuar Spanjën dhe Evropën. E gjithë vëmendja është tek lëvizja e radhës nga Madridi dhe si do të përpiqet të shtjerë nën kontroll Katalonjën.
Facebook Forum