Lidhje

“Human flow”, një dokumentar mbi gjendjen e vështirë të refugjatëve


Dokumentari "Human Flow"
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Dokumentari "Human Flow", “Batica njerëzore”, një prodhim i artistit dhe aktivistit me famë ndërkombëtare Ai Weiwei, vë theksin tek gjendja e vështirë e refugjatëve në mbarë botën. Disidenti kinez nuk është i pari që ka bërë një dokumentar rreth të zhvendosurve, por filmi i tij ofron pamje me dron të rrjedhës masive të njerëzimit në planetin tonë. Ai ka filmuar në 23 vende të ndryshme të botës, në 40 kampe refugjatësh të larguar nga lufta, krizat mjedisore dhe persekutimi fetar. Qëllimi i tij është të tregojë se kjo valë e jashtëzakonshme refugjatësh ka një pasojë të padëshiruar në mbarë botën. Gazetarja e “Zërit të Amerikës” Penelope Poulou bisedoi me artistin.

Dokumentari "Human Flow"
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

"Refugjat nuk është thjesht një status politik. Është forma më e përhapur e mizorisë që mund të ushtrohet ndaj një qenieje njerëzore. Është grabitja me forcë e kësaj qenieje njerëzore nga të gjitha aspektet që i japin jetës kuptim”.

Sipas dokumentarit "Batica njerëzore", sot mbi 65 milionë njerëz në botë rezultojnë të jenë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre. Me anë të kamerave të vendosura në dronë, Ai Weiwei, filmon nga lart lëvizjen e njerëzve.

"Zhvendosjet janë pjesë e historisë njerëzore. Në shumë raste, është pjesë e njerëzimit tonë, e qytetërimit tonë", thotë Ai Weiwei, prodhues filmash dhe aktivist.

Por siç thotë regjisori, anomalia e shoqërisë së kohës kur jetojmë është përpjekja e vendeve për ta ndalur këtë rrjedhë, duke penguar refugjatët të kalojnë kufijtë dhe të integrohen në shoqëri të reja. Pas një udhëtimi traumatik në det dhe ditësh të tëra ecjeje, shumë refugjatë nga Lindja e Mesme udhëtojnë drejt veriut të Greqisë, por ndalohen në kufirin me Maqedoninë.

"Në mbi 70 pika kufitare janë ndërtuar gardhe e mure dhe refugjatët janë penguar të kalojnë. Duke bërë këtë, ata jo vetëm që ndalin këtë “vijë jete”, të atyre refugjatëve që përpiqen të gjejnë një vend të sigurt, qoftë edhe përkohësisht përtej kufirit, por edhe i vendosin ata në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme".

"Është vetëm dy muajsh. Ka lindur këtu dhe nuk është vaksinuar ende. Kushtet higjenike janë shumë të këqija".

Vështrimi që i bën regjisori krizës së refugjatëve është sa personal aq edhe global.

"Të gjithë vdiqën në det. Gruaja e tij u varros këtu, po kështu i biri dhe vajza. Djali iu mbyt në det. Ky është vëllai im Sakhi Ahmed".

Në dokumentarin "Batica Njerëzore" tregohen përpjekjet e shumë njerëzve për t’i shpëtuar luftës, persekutimeve fetare dhe fatkeqësive natyrore. Regjisori Ai Weiwei paralajmëron se nëse nuk i shpëtojmë këta njerëz nga zhvendosja, të gjitha gjeneratat e lindura pa identitet, do të jenë të ekspozuar ndaj ekstremizmit dhe radikalizimit.

"Këta njerëz, këta fëmijë, kur të rriten do të shohin vetëm se sa keq janë trajtuar prindërit e tyre, se sa në mënyrë të padrejtë janë trajtuar dhe botën që ka vëzhguar dhe nuk ka bërë asgjë. Ky është imazhi që do të mbetet në mendjen e tyre”, thotë Ai Weiwei.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG