Lidhje

Carles Pudgimont dhe zgjedhjet e parakohshme në Katalonjë


Qeveria spanjolle nuk e ka ndaluar udhëheqësin separatist të Katalonjës nga kandidimi në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit. Ministri i jashtëm spanjoll tha dje se Presidenti i shkarkuar katalonjas, Carles Puidgemont teorikisht ka të drejtë të kandidojë si udhëheqës i partisë së tij nëse ai nuk burgoset. Qeveria e zoti Puidgemont shkaktoi krizën më të madhe politike në Spanjë në dekada pasi shpalli pavarësinë e Katalonjës nga Madridi. Por katalonjasit janë të ndarë mbi këtë çështje. Qindra mijëra vetë u mblodhën të dielën në kryeqytetin e rajonit, Barcelonë, në mbështetje të unitetit të Spanjës.

Protestuesit bllokuan rrugët qendrore të Barcelonës, duke kënduar dhe hedhur parrulla në mbështetje të unitetit të Spanjës. Protesta, e organizuar nga organizata e shoqërisë civile, “Sociedad Civil” u zhvillua dy ditë pasi parlamenti katalonjas votoi për të shpallur Katalonjën një republikë të pavarur. Por shumë katalonjas thonë se nuk shohin asnjë avantazh nga ndarja.

"Unë dua një Spanjë të bashkuar. Përkrahësit e pavarësisë duan të na përçajnë pasi të gjithë ne kemi ndihmuar në ndërtimin e këtij komuniteti, ata duan të na ndajnë. Ne kemi dalë në rrugë, në mënyrë që ata ta shohin se ne ekzistojmë".

Vetëm rreth gjysma e votuesve me të drejtë vote morën pjesë në referendumin e debatueshëm të një tetorit mbi pavarësinë e Katalonjës. Por nga ata që votuan, shumica dërrmuese mbështeti pavarësinë. Shpallja zyrtare e pavarësisë së Katalonjës të premten shkaktoi krizën më të madhe politike në Spanjë në dekada. Qeveria qendrore e quajti këtë një veprim të njëanshëm jokushtetues dhe shkarkoi qeverinë separatiste të shtunën. Presidenti i Katalonjës Carles Puidgemont e quajti veprimin e Madridit një përpjekje grushtshteti dhe refuzon të japë dorëheqjen. Por protesta e djeshme ishte një tregues se ai nuk ka mbështetje të gjërë në mesin e 7.5 milionë katalonjasve.

Udhëheqësi i Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës tha të dielën se separatistët do të humbasin zgjedhjet e parakohshme.

"Veprimet e njëanshme janë një abuzim i demokracisë vetë-qeverisëse dhe i bashkëjetesës. Prandaj, ajo që nevojitet në këtë moment është demokracia, statusi i autonomisë dhe zgjedhjet. Nuk kam asnjë dyshim se më 21 dhjetor, Katalonja do të vazhdojë të jetë pjesë e Spanjës, falë arsyes, ligjit dhe votave të katalonjasve", tha Pedro Sanchez, udhëheqës i Partisë Socialiste të Punëtorëve në Spanjë.

Qeveria spanjolle nuk e ka ndaluar Carles Puidgemont-in nga kandidimi në zgjedhjet e dhjetorit. Por çështja është nëse ai do të jetë i lirë që ta bëjë këtë.

"Unë nuk e di çfarë lloj veprimtarie gjyqësore do të ndodhë nga tani deri më 21 dhjetor ose deri në kohën kur kandidaturat duhet të miratohen nga komisioni zgjedhor. Nëse ai nuk burgoset deri në atë kohë, mendoj se ai i plotëson kushtet për të kandidatuar. Pra, teorikisht, unë mendoj se partia e tij mund ta kandidoj atë", tha Alfonso Dastis, Ministër i Jashtëm i Spanjës.

Qeveria qendrore spanjolle ka vendosur sundimin direkt mbi Katalonjën derisa rajoni autonom të zgjedhë një qeveri të re.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG