Shefi i personelit në Shtëpinë e Bardhë, gjenerali John Kelly e përshkroi të hënën gjeneralin Konfederatës Robert E. Lee si një "njeri të nderuar". Ai tha se Lufta Civile amerikane ishte pasojë e “mungesës së aftësisë për të bërë kompromis".
Zoti Kelly nuk shpjegoi sesi mund të ishte shmangur konflikti përmes kompromisit. Pohimet e tij reflektojnë ato të Presidentit Donald Trump, i cili i është kundërvënë heqjes së monumenteve për nder të Konfederatës dhe gjeneralit Lee, komandanti i Konfederatës së Shteteve Amerikane (të jugut), njohur ndryshe si Konfederata.
Konfederata fillimisht përbëhej nga shteti i Virxhinias dhe gjashtë shtete të tjera jugore që e lejonin skllavërinë. Ato u shkëputën nga SHBA dhe ekonomitë e tyre vareshin nga një sistem i madh plantacionesh që mbështetej tek puna e skllevërve afrikano-amerikanë.
Megjithëse disa argumentojnë se lufta civile u zhvillua për të ruajtur të drejtat e shteteve, ekziston një mirëkuptim i përgjithshëm mes studiuesve se skllavëria ishte shkaku kryesor i konfliktit.
Komentet e tij zoti Kelly i bëri në “Fox News” gjatë një programi televiziv që drejtohet nga konservatorja Laura Ingraham. Ato ishin përgjigje e një pyetjeje rreth vendimit të fundit të një kishe në Virxhinia për të hequr monumentet për nder të gjeneralit Lee dhe George Washington-it, një burrë shteti, ushtar dhe Presidenti i parë i SHBA.
Facebook Forum