Lidhje

Presidenti Trump viziton Azinë në një periudhë tensionesh të larta


Presidenti Donald Trump pritet të niset drejt Azisë, për një turne 12 ditor në pesë vende të Azisë. Udhëtimi i tij bëhet në një periudhë tensionesh të rritura në Gadishullin Korean, ndërsa një anketim i fundit tregon se amerikanët e perceptojnë Korenë e Veriut si kërcënimin më imediat ndaj Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Donald Trump do të vizitojë në 7 dhe 8 nëntor Korenë e Jugut, rivalen kryesore të Koresë së Veriut.

Bisedimet me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, dhe udhëheqësit e tjerë botërorë pritet të fokusohen tek mënyra se si duhet trajtuar programi i zhvillimit të armëve bërthamore dhe raketave balistike të Koresë së Veriut.

Gjatë një vizite vetëm para pak ditësh në Korenë e Jugut, Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë ç’është e mundur diplomatikisht për të zgjidhur situatën e krijuar nga programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

“Siç e ka bërë të qartë Sekretari i Shtetit Tillerson, synimi ynë nuk është lufta, por çnuklearizimi i plotë, i verifikueshëm dhe i pakthyeshëm i gadishullit korean”, tha zoti Mattis.

Ndërkohë, një ish-eksponent i regjimit i arratisur nga Korea e Veriut, dëshmoi në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Kongresit amerikan.

“Kim Yong Un nuk është plotësisht i ndërgjegjshëm për fuqinë ushtarake të Amerikës. Prandaj ai beson se mund të thyejë sanksionet dhe ta shtrëngojë Uashingtonin të pranojë statusin e Koresë së Veriut, pasi të ketë përmbushur programin e raketave ndërkontinentale. Ka njerëz që besojnë vetëm tek opsioni ushtarak. Por, është e nevojshme të ezaurojmë të gjitha opsionet joushtarake përpara se të konkludojmë se ka mbetur vetëm opsioni ushtarak ndaj Koresë së Veriut”, u tha ligjvënësve amerikanë ish-zëvendës ambasadori i Koresë së Veriut në Londër, Thae Yong-ho.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane, në dallim nga pararendësit e tij, Presidenti Trump nuk do të vizitojë zonën e çmilitarizuar mes dy Koreve. Prej Koresë së Jugut presidenti Trump shkon në Kinë ku pritet t’i kërkojë Pekinit që të ushtrojë më shumë presion ndaj Kim Jon Un-it.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG