Lidhje

Dënohen të akuzuarit në rastin “e Kumanovës”

  • Isak Ramadani

Policia ne Kumanove

Një gjykatë e Shkupit u dha dënime të larta pjesëtarëve të grupit të armatosur në cështjen e njohur si rasti i i Kumanovës, kur tetë policë maqedonas dhe 14 anëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve më 9 dhe 10 maj të vitit 2015.

Qeveria e kaluar pati hedhur akuza ndaj “terroristëve” siç i quante ajo, “të cilët vinin nga Kosova fqinje për ta destabilizuar Maqedoninë”.

Pala mbrojtëse, ndërkaq, e ka cilësuar procesin si të montuar dhe shërbimin sekret maqedonas të përfshirë në këtë rast.

Dënimet e dhëna sot nga gjykata e Shkupit për të akuzuarit e rastit të Kumanovës u pritën me indinjatë nga familjarët e tyre, ndërsa të akuzuarit nuk hynë në sallën e gjykatës për ta dëgjuar vendimin duke protestuar në këtë mënyrë kundër sistemit gjyqësor të Maqedonisë, të cilin ata e quajnë të padrejtë dhe diskriminues.

Prej 37 të akuzuarve, shumica shtetas të Kosovës, 7 u dënuan me burg të përjetshëm; 13 të tjerë, ndër ta Sami Ukshini i njohur si komandant Sokoli i dyshuar si një nga organizatorët kryesorë u dënuan me nga 40 vjet burg.

Dënimet tjera sillen nga 13 deri në 20 vjet burg, ndërkohë që tre persona u liruan.

Avokatët e të dënuarve e quajtën procesin një montim të shërbimeve sekrete maqedonase dhe manipulim të të akuzuarve. Avokati Naser Raufi tha se “prokuroria është e pareformuar, se të akuzuarit janë sjellur këtu për interesa të huaja”:

Besoj dhe shpresoj që ky rast të jetë i fundit i montuar. Pasi bëhet fjalë për rast klasik të montuar ne edhe ishim të përgatitur që dënimi do të jetë drakonik. Ne kemi informata me dëshmi që shumë shpejtë do të bëhen të ditura, me çka provohet se ky skenar është i shërbiumit sekret. Kemi informata serioze”, tha avokati Raufi.

Pala mbrojtëse kërkon hetim ndërkombëtar, një gjë që është paralajmëruar më herët edhe nga ministria e Drejtësisë.

Disa nga familjarët e të dënuarve e fajësojnë Bashkimin Demokratik për Integrim për këtë proces gjyqësor.

BDI, ndërkaq kërkon përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtar në një hetim për zbardhjen e të gjitha paqartësive lidhur me rastin e Kumanovës.

Pala mbrojtëse paralajmëron se do ta ankimojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Më nëntë dhe dhjetë maj të vitit 2015 gjatë përleshjes së armatosur në një lagje të Kumanovës u vranë tetë policë të forcave maqedonase dhe 14 anëtarë të grupit të armatosur, ndërsa motivet kanë mbetur të paqarta duke i lënë hapësirë spekullimeve të shumta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG