Lidhje

Shqipëri, rënie drastike e kultivimit të marijuanës


Në Shqipëri sipërfaqet e mbjella me marijuhanë në 2017 pësuan një rënie drastike. Guardia di Finanza italiane publikoi sot rezultatet e monitorimit të saj ajror sipas të cilave ishin identifikuar vetëm 88 parcela në një sipërfaqe prej afër 2 hektarësh. Një vit më parë ishin zbuluar mbi 2 mijë parcela në një sipërfaqe pre 213 hektarësh. Ministri i Brendshëm italian Marco Minniti, foli për një rezultat të jashtëzakonshëm duke nënvizuar se kjo përpjekje duhet të vazhdojë dhe se duhen goditur të paprekshmit. Për ministrin e brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj puna e këtij viti është vetëm faza e parë e luftës kundër narkotrafikut:

Rënie drastike e sipërfaqeve të mbjella me marijuanë në 2017 në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:18 0:00

Vitin e kaluar fenomeni i kultivimit të marijuanës gjeti një shtrirje thuajse në të gjithë vendin. Për një kohë të gjatë autoritetet i justifikuan sasitë e mëdha të zbuluara, me rritjen e forcës goditës të policisë, ndonëse në fillim të këtij viti u detyruan të hartonin një strategji kombëtare e cila bëri që goditja këtë herë të niste që në faza të hershme. Ministri aktual i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte i pari ndër autoritetet që publikisht pranoi shtrirjen shqetësuese të fenomenit apo dhe implikimin e punonjësve të policisë. Edhe sot në takimin ku u prezantuan rezultatet e vrojtimit ajror të Guardia di Finanza-s italiane ai foli për atë që ndodhi një vit më parë: “Nga euforia, nga paaftësia e strukturave tona apo nga aftësia dhe sofistikimi i krimit, mbetet për tu analizuar. Një gjë është e sigurtë. Dëmi ishte i madh dhe shumëplanësh".

Efektet duken dhe sot ndërsa ende vazhdojnë të zbulohen sasi disa tonëshe me marijuanën e kultivuar në 2016. Edhe drejtuesit e Guardia di Financa-s italiane folën për një sasi gati të trefishuar, 33 tonë, të kapur në det apo në brigjet italiane vetëm gjatë 2017.

Rezultatet e publikuara sot japin një tjetër panoramë të situatës. Numri i plantacioneve të zbuluara nga vrojtimi ajror është 88 në një sipërfaqe prej 1.9 hektarësh, nga 2086 një vit më parë kur ato mbulonin një sipërfaqe prej 231 hektarësh. Po kështu dhe numri i bimëve të shkatërruara në parcelat e identifikuara nga Guardi di Finanza-s është 5 mijë nga 753 mijë në 2016-ën. Në total gjatë këtij viti numri i rrënjëve të shkatërruara shkon në mbi 50 mijë, nga 2.6 milion të një viti më parë. Misionet italiane nga ana tjetër u rritën në numër dhe në orë fluturimi duke fotografuar dhe më shumë sipërfaqe, mbi 680 hektarë.

Për ministrin e Brendshëm italian, Marco Minniti, i pranishëm në takimin e sotëm, bëhet fjalë për një rezultat të jashtëzakonshëm, një operacion të suksesshëm që sipas tij duhet mbajtur edhe vitet e ardhshme. Zoti Minniti shtoi se tani “është i nevojshëm një aksion më i fortë kundër krimit të organizuar. Ne – tha ai - duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që drejtojnë trafiqet, duhet të godasim të ashtuquajturit të paprekshëm”.

Ai deklaroi se për të koordinuar këtë luftë të përbashkët kishte biseduar me homologun e tij shqiptar Xhafaj. “Jemi të bindur se ky është vetëm një stacion në luftën tonë. Duhet të jemi modestë!Beteja vazhdon edhe më e fortë, tashmë me ata që e kanë financuar dhe organizuar këtë biznes kriminal – me grupet kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe drogës në përgjithësi. Jemi të vendosur ti ndjekim hap pas hapi ata dhe të ardhurat e tyre kriminale”, nënvizoi zoti Xhafaj.

Ministri italian tha se “në Shqipëri dhe në rajon tre janë sfidat e rëndësishme, lufta kundër narkotrafikut, kundër emigracionit të paligjshëm dhe terrorizmit” dhe se për këto tre çështje “është i nevojshëm një bashkëpunim i plotë dhe i përgjegjshëm ndërkombëtar”.

Sot dy ministrat nënshkruan një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore dhe terrorizmit i cili parashikon ndër të tjera dhe operacione të përbashkët në vendet respektive .

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG