Lidhje

Kosovë, thirrje për zgjidhjen e çështjes së kufirit me Malin e Zi


Kryetari i Parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi u bëri thirrje partive politike në Kosovë që të shikojnë përtej interesave partiake në zgjidhjen e ngërçit sa i përket çështjes së kufirit me Malin e Zi dhe në të njëjtën kohë të mos humbasin mbështetjen veçanërisht të partnerëve strategjikë.

Thirrje për zgjidhjen e çështjes së kufirit të Kosovës me Malin e Zi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po qëndron për një vizitë gjatë së cilës u dekorua me medaljen “Urdhri i Lirisë” nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për siç thuhet “rolin dhe kontributin e zotit Ruçi në të gjitha legjislaturat e mëhershme të Parlamentit të Shqipërisë, si dhe angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Zoti Ruçi tha se çështja e liberalizimit të vizave nuk duhet të zgjidhet nëpërmjet Shqipërisë, ndërsa bëri thirrje që Kosova të përqendrohet në përmbushjen e kritereve të përcaktuara përfshirë ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

“Inkurajojmë të gjitha forcat politike që edhe çështja e kufirit me Malin e Zi që është vendosur tashmë të zgjidhet qoftë se kjo do të ishte pengesa, por unë do të mendoja që Kosova lidhur me liberalizimin e vizave i ka plotësuar të gjitha ato rekomandime që ka bërë Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave dhe të gjithë ne bashkë duhet të kërkojmë që ky proces të bëhet realitet për t’u mos u zgjidhur shqiptar me shqiptar por për t’u zgjidhur me partnerët tanë ndërkombëtarë në Bashkimin Evropian që liberalizimi i vizave të bëhet një realitet i vërtetë për qytetarët e Kosovës. Sigurisht kjo donë pak durim, nuk do humbur ky durim, nuk do humbur ky besim dhe kjo shpresë”, tha zoti Ruçi.

Javëve të fundit janë shtuar kërkesat edhe të përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë për ratifikimin e marrëveshjes në parlament.

Qeveria e Kosovës thotë se është në pritje të vlerësimit të komisionit të ri për shqyrtimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe të gjitha veprimet e saj do të mbështeten në të gjeturat e atij komisioni.

Por, puna e këtij komisioni dhe deklaratë e përfaqësuesve të tij se Kosova ka humbur territor, u kritikua të hënën nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi tha se “në rast se institucionet shtetërore do të vazhdojnë të mbetën peng të trillimeve individuale apo qoftë edhe të një grupi politik të caktuar, atëherë sigurisht që pasojat për shtetin mund të jenë edhe më të rënda”.

Presidenti Thaçi tha se është koha që institucionet shtetërore të tejkalojnë këtë situatë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme dhe duhet të marrin vendim për këtë çështje në përputhje me detyrimet dhe procedurat, pa u ndikuar nga individë të caktuar.

Kosova “nuk mund të mbetet peng i tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që e mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.

Marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por jo edhe nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimorë që duhet të kërkojë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa Kosova mbetet po ashtu e fundit në proceset integruese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG