Lidhje

Shqipëri, strukturë e posaçme kundër krimit të organizuar

  • Armand Mero

Në Shqipëri u prezantua sot Task Forca kundër organizatave dhe grupeve kriminale, një strukturë e posaçme e cila do të ketë mbështetjen edhe të ekspertëve të huaj, të FBI-së amerikane, e të njësive antikrim të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së madhe. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se me krijimin e kësaj strukture i shpallet një luftë në disa fronte krimit të organizuar. Nga ana e tij ambasadori amerikan Donald Lu theksoi se partnerët ndërkombëtarë presin që disa peshq të mëdhenj të arrestohen që në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Ndërsa ngritja e strukturave të reja që do të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të parashikuara në paketën e Reformës në Drejtësi do të dojë ende kohë, qeveria shpalli sot vënien në jetë të një strukture të posaçme e cila do të ketë objektiv të vetëm, goditjen e grupeve kriminale.

“Ne sot i japim rrugë dhe shpallim fillimin e një lufte multi-frontale, intensive dhe pa kompromis ndaj strukturave të organizuara kriminale, aseteve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, me vullnetin për ta bërë vendin tonë, një vend armiqësor dhe të parehatshëm për këdo që mendon se mund të pasurohet në kurriz të të tjerëve dhe në dhunim flagrant të ligjeve në fuqi”, u shpreh ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Task Forca është e organizuar në disa nivele. Në nivel strategjik parashikon një strukturë ku do të jenë të përfshirë përfaqësues të disa institucioneve. Ndërkohë është parashikuar një Task Forcë speciale në Nivel Qëndror dhe Task Forca në Nivel Rajonal, të shpërndara në të 12 qarqet e vendit. Sipas analizës së strukturave kriminale që veprojnë në vend, 53 përqind e grupeve kanë si aktivitet atë të narkotrafikut, 11 përqind trafiqet e paligjshme, 18 përqind krimet e rënda dhe 11 përqind veprojnë në fushën e krimit ekonomik. Për secilën nga këto kategori do të ketë një njësi të posaçme hetimore pranë Task Forcës speciale Qendrore.

Të paktën 40 përqind e grupeve shqiptare rezultojnë të kenë lidhje me organizata kriminale jashtë vendit. Kjo është dhe një nga arsyet pse në këtë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar do të ketë dhe një njësi të posaçme me ekspertë ndërkombëtarë, nga FBI-ja amerikane, dhe strukturat e antikrimit të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë.

Duke folur për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara po i japin kësaj përpjekjeje të autoriteteve, ambasadori amerikan Donald Lu tha se komuniteti ndërkombëtar pret të shohë rezultate të shpejta: “Ne në Amerikë kemi edhe një shprehje tjetër – “dreka falas nuk ekziston.” Nëse Amerika dhe vendet e BE-së do të vendosin burimet tona dhe besueshmërinë tonë në këtë luftë kundër krimit të organizuar, ne presim rezultate. Çfarë presim? Presim që ky plan agresiv i Qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm, dhe që ky sukses të vazhdojë në vitin 2018 me SPAK-un dhe BKH-në. Në shqip ju thoni: “Peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh”.

Për rezultate konkrete, të prekshme dhe të pakthyeshme foli dhe ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Romana Vlahutin, e cila nënvizoi se donte të besonte se “operacioni “Fuqia e ligjit” do të jetë vërtet një hap vendimtar drejt një shteti që është shumë më i fortë se çdo lloj krimi”.

Ministri britanik për Europën Alan Duncan, vendi i së cilit është përfshirë në mbështetje konkrete të Task Forcës theksoi gjithashtu se “duhet të ketë një fund për pandëshkueshmërinë, dhe se peshqit e mëdhenj nuk do të dalin nga rrjeta”.

Për ambasadorin amerikan problem për Shqipërinë janë dhe lidhjet e politikës me krimin: “Nëse e mohoni këtë, ju lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Rroshit. Ky nuk është problem i vetëm një partie; ky është një problem që ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit”.

Por për ekzistencën e këtyre lidhjeve foli hapur dhe ministri Xhafaj: “Raportet shoqërore të individëve, anëtarë të këtyre organizatave me përfaqësues të jetës politike dhe zyrtarë të lartë janë të evidentuara, gjithashtu. Të dhënat dëshmojnë gjithashtu prirjen e qartë të injektimit të parave të tyre të pista në ekonomi përmes investimeve në biznese të ligjshme”.

Ai madje tha se disa nga këto grupe synojnë që fuqin ekonomike ta përdorin me ndikim të tërthortë ose edhe të drejtëpërdrejtë edhe në media dhe/ose në rrjete sociale. Sipas tij këto përpjekje për të përdorur median për qëllimet e tyre rezultojnë shqetësuese.

Zoti Xhafaj foli dhe për rëndësinë që në luftën ndaj krimit të organizuar të gjitha forcat politike të jenë bashkë pasi siç theksoi ai kjo nuk është një luftë për partitë por për të ardhmen e vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG