Lidhje

Protesta në përvjetorin e zgjedhjes së Presidentit Trump

  • PETER HEINLEIN

Më 8 nëntor, mijëra amerikanë në disa qytete pritet të dalin në një protestë, që organizatorët e kanë titulluar “T’i Drejtohesh Qiellit me Britma të Pashpresa”.

Protesta përkon me një vjetorin e ardhjes në pushtet të Presidentit Trump.

Protesta e pashembullt që po mbahet në shumë qytete amerikane është vënë në lojë nga konservatorët, duke shkaktuar shkëmbime intensive në internet që ilustrojnë përçarjen e thellë partiake mes pakicës së fortë të mbështetësve besnikë të presidentit Trump dhe një grupi po aq të zëshëm, dhe pothuajse më të madh, që e urren atë.

"Politika amerikane kishte filluar të polarizohej shumë kohë përpara Presidentit Trump dhe u kristalizua në përçarje, që tani karakterizon politikën", thotë Dan Mahaffee, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Presidencës dhe Kongresit. "Ne gjithnjë e më shumë shohim demokratë të zjarrtë, republikanë të zjarrtë, dhe një grup të vogël në mes të cilët janë më pragmatik".

Një sondazh i gazetës Washington Post dhe kanalit televiziv ABC News i publikuar këtë javë tregon se Donald Trump është presidenti më pak popullor në 70 vjet në këtë pikë të mandatit të tij presidencial, që kur filluan të bëheshin sondazhe për këtë çështje. Më pak se katër në dhjetë amerikanë thonë se ata e miratojnë punën e tij. Pothuajse 60 për qind thonë se nuk e miratojnë, shumica prej tyre "fuqimisht".

Madje edhe shumë anëtarë të bazës tradicionale të mbështetësve të zotit Trump në rajonet qendrore të Amerikës thonë se ai nuk është presidenti i tyre ideal. "Ai mund të jetë shumë i vështirë të pëlqehet", thotë ekzekutivi i biznesit në Kolorado, Eugene Bourque. "Por unë dua një njeri në Shtëpinë e Bardhë, i cili mbështet Krishtërimin, Kapitalizmin, Konservatorizmin dhe Kushtetutën dhe që është i gatshëm të luftojë për mbrojtjen e tyre."

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders nuk i kushton rëndësi miratimit të ulët të punës së Presidentit, duke vënë në dukje pakënaqësinë e publikut me Kongresin që është dukshëm më e madhe. "Mbështetja për të është shumë më e madhe se ajo për Kongresin. Do të zgjidhja numrat e presidentit mbi ato Kongresit çdo ditë," tha zëdhënësja Huckabee Sanders gjatë një diskutimi në Universitetin George Washington, për nder të përvjetorit të zgjedhjeve.

Mbulimi negativ nga shtypi

Zëdhënësja Hackubee Sanders ia atribuon popullaritetin e ulët të Presidentit Trump, pjesërisht raportimit kryesisht negativ nga një shtyp armiqësor. Ajo përmendi një studim të pavarur që tregon se mbulimi i Presidentit në disa rrjete televizive është 93 për qind negativ, krahasuar me 40 për qind gjatë vitit të parë të presidencës së Barak Obamës.

"Që njerëzit të pretendojnë se nuk ka një ndjenjë më të madhe armiqësie ndaj kësaj administrate, mendoj se do të ishte injorim i fakteve reale".

Të ballafaquar me këtë armiqësi të perceptuar, Presidenti Trump ka rishkruar rregullat për komunikimet presidenciale.

"Trump përdor Twitter-in për të anashkaluar shtypin në mënyra që përcjellin një mospërfillje të plotë për rolin e gazetarisë në shoqëritë demokratike", thotë profesori i komunikimit në Universitetin e Stanford-it, Theodore Glasser. "Presidentët shpesh kanë një marrëdhënie kontradiktore me gazetarët, por unë nuk mund të kujtoj një president të vetëm, përfshirë Richard Nixonin, i cili i afrohet zotit Trump në aspektin e frikës së tij nga vlerësimi publik".

Studiuesi presidencial Mahaffee thotë se Trump e kuptoi në fillim se si mund të shfrytëzonte përçarjet partiake dhe mosbesimin e publikut ndaj mediave.

"Mediat sociale lejojnë që gjuha më e ashpër dhe sensacionalizmi të triumfojnë mbi faktin dhe arsyen," tha Mahaffee për Zërin e Amerikës. "Presidenti Trump përdori këto përçarje për qëllimet e tij për t'u zgjedhur, dhe qasja e tij ka qenë thellimi i mëtejshëm i përçarjeve për qëllimet e tij për të qeverisur."

Rezultatet?

Kur është fjala për vlerësimin e arritjeve të Presidentit Trump, akademikët e intervistuar për këtë raport në pëgjithësi ishin të të njejtit mendim se rezultate mungojnë. "Çfarë arritjesh?" ishte përgjigja e Theodore Glasser nga Universiteti i Stanfordit, duke vënë në dukje se republikanët kishin dështuar në përmbushjen e premtimit për reformimin e kujdesit shëndetësor dhe sistemit të taksave pavarësisht se ata kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit.

Zëdhënësja Huckabee Sanders, megjithatë, vuri në dukje sukseset në politikën e jashtme, luftën kundër ekstremizmit islamik dhe ekonominë. "Ai ka bërë një punë shumë të mirë në ndërtimin e marrëdhënieve me shumë partnerë dhe aleatë kryesorë, veçanërisht Kryeministrin japonez Abe dhe Presidentin kinez Xi të cilët po ndihmojnë në rritjen e presionit ndaj Koresë së Veriut".

Zëdhënësja Huckabee Sanders e quajti udhëtimin e Presidentit Trump në Lindjen e Mesme një "moment të madh në presidencën e tij".

"Në Arabinë Saudite, fjalimi që ai mbajti para, besoj se ishin 68 vende me shumicë myslimane, duke sjellë shumë prej këtyre individëve bashkë për të punuar në luftimin e terrorizmit; ky ishte një moment historik", tha ajo.

Ekonomia po vazhdon të ketë një përmirësim shumë të mirë që nga dita e zgjedhjeve, por ekonomistët nuk pajtohen rreth ndikimit të Presidentit Trump mbi këtë përmirësim.

"Përpara zgjedhjeve, të gjithë mendonin se zoti Trump do të dëmtonte tregun e aksioneve, tregjet e aksioneve pësuan rënie të madhe në natën e zgjedhjeve kur u bë e qartë se ai kishte fituar. Por, pas fjalimit të tij të fitores, ndjenja ndryshoi dhe në mëngjes aksionet u rritën", tha analistja Emily Stewart e faqes së internetit “thestreet.com” për Zërin e Amerikës.

Në një postim në Twitter këtë javë, Presidenti Trump vuri në dukje se vlera e tregut është rritur 5.4 trilionë dollarë që nga zgjedhjet dhe mbetet në nivele të larta rekord.

Papunësia është në 4.1%, më e ulëta në 17 vjet. 1.5 milionë vende të reja të punës janë krijuar që kur mora detyrën. Tregu i aksioneve ka parë rritjen me të lartë në histori, deri $ 5.4 trilionë”.

Ekspertët thonë se ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje, është një që zoti Trump rrallë e përmend. Korrespondenti i Shtëpisë së Bardhë i “Yahoo News” Olivier Knox tha në diskutimin që u mbajt në Universitetin George Washington javën e kaluar, se eliminimi i rregullave është suksesi i pa përmendur i Presidentit Trump.

"Është një nga sukseset e administratës së Presidentit Trump, një gjë që nuk ka marrë aq vëmendje sa postimet e tij në Twitter, por është një histori shumë e rëndësishme. Pezullimi sistematik i rregulloreve," tha zoti Knox.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG