Lidhje

Shkup, konferencë mbi luftën kundër ekstremizmit


Në Shkup po mbahet një konferencë me ekspertë ndërkombëtarë, diplomatë, pjesëtarë të shoqërisë civile, të bashkësive fetare dhe zyrtarë qeveritarë në lidhje me qasjen dhe forcimin e shtetit në luftën kundër terrorizmit dhe përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikal. Takimi i organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE dhe Ambasada e SHBA-së në Shkup, synon forcimin e bashkëpunimit rajonal mbi këtë dukuri.

Richard Prosen, zyrtar i Departamenti Amerikan të Shtetit tha se duken shenja të përshtatshërmisë dhe elasticitetit tek një pjesë e Shtetit Islamik dhe degëve të tij. “Kemi parë luftëtarë dhe terroristë që kthehen në shtëpitë e tyre në Evropë dhe të tjera vende për të ndërmarrë sulme vdekjeprurëse. Në vend të udhëtimit drejt Sirisë dhe Irakut individë po bëjnë sulme terroriste, të organizuar nëpër qeli të vogla ndaj shënjestrave ‘të buta’ si hotelet, stacionet e transportit publik”, theksoi ai.

Zoti Prosen, si edhe ekspertë të tjerë nënvizojnë nevojën e bashkëpunimit midis shteteve në rajon për të luftuar terrorizmin dhe ektremizmin e dhunshëm.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev u shpreh se vendet Ballkanike, ndër të cilat edhe Republika e Maqedonisë, në vazhdimësi janë ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe rrezikut të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm me të gjitha veçoritë e paraqitjes së tyre.

Ai vuri në dukje se lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm paraqet prioritet për vendin e tij.

“Kërcënimet me terrorizëm u shtuan sidomos me aktualizimin e dukurisë së luftëtarëve të huaj, përkatësisht me bashkimin e dhjetra mijëra luftëtarëve ndaj Shtetit Islamik. Organet e zbatimit të ligjit në Maqedoni do të marrin masa sa herë që radikalizimi dhe ekstremizmi ndërlidhen me dhunën, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe akte të tjera joligjore”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Ambasadori amerikan Jess Baily tha se Maqedonia ka një të mirë në këtë aspekt, sepse është një vend i vogël dhe “të gjithë njihen”, që e bën më të vështirë, sipas tij, ndërmarrjen e akteve terroriste.

“Nuk mundet vetëm Ministria e brendshme t’i ndjek keqbërësit. Nevojitet bashkëpunimi institucional mes ministrive dhe aktorëve të shoqërisë civile, përfshirë Organizatat joqeveritare, bashkësitë fetare, median dhe drejtuesit e komunitetit. Duhet të flitet pse mbi 150 qytetarë të Maqedonisë iu bashkuan Shtetit Islamik në Siri dhe Irak dhe të ketë debate të hapura lidhur me ata të cilët kthehen në vendlindje, në Maqedoni”, tha ambasadori.

Ai e përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyeshëm rajonal, siç u shpreh, në mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë që pengoi një akt të planifikuar terrorist në Shkodër, nëntorin e kaluar. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë trajnuar edhe gjykatës dhe prokurorë se si të bëjnë hetime, të gjykojnë dhe dënojnë rastet terroriste.

Ambasadorja Nina Suomalainen, shefe e Misionit të OSBE-së në Shkup, tha se beson që me një vullnet politik dhe zotim, të gjitha shtetet anëtare të OSBE-së “mund t’i zbatojnë dhe mbështesin nismat parandaluese dhe të efektshme që adresojnë sfidat me të cilat përballemi të gjithë ne sot.”

Ndërkaq, autoritetet maqedonase nuk kanë folur publikisht mbi numrin e shtetasve të tyre të vrarë dhe pjesëmarrës në luftërat në Lindjen e Mesme. Ndërkaq, parlamenti ka miratuar para më shumë se një viti një ligj që sanksionon ata shtetas të cilët kanë qenë pjesë e konfliktete të huaja të armatosura.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG