Lidhje

Çmim rekord për veprën “Salvator Mundi” të Da Vincit


Ishte një moment historik në botën e ankandit të artit: “Salvator Mundi” ose “Shpëtimtari i Botës” i Da Vinçit iu shit personin që dha ofertën më të lartë prej 450 milionë dollarë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Evgeny Maslov ishte mes një mijë koleksionistëve, konsulentëve dhe gazetarëve në Shtëpinë e Ankandit Christie’s për shitjen e fundit rekord.

Ishte një ankand i tensionuar që zgjati 20 minuta, në shtëpinë e ankandit Christie’s në Nju Jork. Filloi me katër oferta...dhe më pas shumë shpejt mbetën vetëm për dy. Zhurma u fashit kur një blerës anonim tha në telefon se do të paguante 400 milionë dollarë për veprën e njohur të Leonardo DaVincit, Salvator Mundi.

Ai do të paguante 50 milionë dollarë shtesë në tarifa dhe taksa. Në atë që konsiderohej një veprim i zgjuar nga Christie’s, “Salvator Mundi” u dërgua para-ankandit për t’u shfaqur në qytete të mëdha si Hong Kong, Londër, San Francisko dhe Nju Jork. 27 mijë njerëz e panë pikturën para se të shitej.

“Është pikturuar rreth të njëjtës kohë me Mona Lisën dhe vepra ndan karakteristikat e punës së tij të mëvonshme, si për shembull mënyra e të buzëqeshurit e Mona Lisës, efektet me hije të fytyrës së saj...karakteristika që nuk gjenden në veprat e tij të mëparshme” tha specialisti Alan Wintermute.

Piktura i përkiste miliarderit rus Dmitry Rybolovlev, i cili e bleu atë për 127 milionë dollarë në vitin 2013. Meqë kjo është një nga vetëm 15 pikturat e mjeshtrit të madh, çmimi i fundit i saj nuk ishte një surprizë e madhe.

“Është një ndjesi e bukur sepse arritëm këtë çmim. Është mirë për ne, është mirë për të gjithë, sepse kjo tregon se Da Vinci ishte mjeshtër i madh dhe tani vepra e tij mban çmimin rekord të ankandit” tha Alex Rotter, i shtëpisë së ankandeve Christie’s.

Autenticiteti i veprës u vu në pikëpyetje kur u shfaq së pari në vitin 1958. Ishte përcaktuar se ishte një kopje dhe blerësi pagoi 60 dollarë. Por në vitin 2011 ekspertët përcaktuan se ishte vepra e vetë Da Vincit, edhe pse sot disa mbeten skeptikë. Christie’s beson se është e vërtetë.

“Leonardo ishte i famshëm edhe kur ishte gjallë, dhe çdo herë që ai pikturonte diçka të re, njerëzit shkonin dhe përpiqeshin të kopjonin veprat e tij, sepse ata mësonin duke u përpjekur ta imitonin. Prandaj, përmes imitimeve e dinim se kjo pikturë egzistonte” thotë eksperti për artin Loic Gouzer.

450 milionë dollarë janë më shumë se dyfishi i çmimit të paguar për veprën e Picassos “Gratës e Algjerisë”, e cila kishte vendosur rekordin në vitin 2015 kur ajo u shit për 179 milionë dollarë. Ekspertët pajtohen se çmimi për Salvator Mundin do të jetë i vështirë për t’u kaluar në ankandet e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG