Lidhje

Kriza politike në Gjermani


Gjermania është zhytur në krizë politike pas dështimit të bisedimeve për një qeveri koalicioni midis Kristian Demokratëve të Kancelares Angela Merkel dhe dy partive më të vogla. Analistët thonë se rezultati i paqartë i zgjedhjeve të shtatorit nxori në pah ndarjet e shoqërisë dhe politikës gjermane, një sfidë serioze kjo për Kancelaren Merkel. Siç njofton nga Londra Henry Ridgwell i Zërit të Amerikës, kaosi politik mund të ketë një ndikim shumë më të gjerë në çështje të tilla si bisedimet mbi klimën dhe reformën e Bashkimit Evropian.

Pas 12 vjetësh si politikania më e fuqishme e Evropës, forca politike e zonjës Angela Merkel është mesa duket në rënie pas dështimit të bisedimeve për të formuar një qeveri koalicioni me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë.

"Do të bëj çdo gjë të mundur si kancelare e përkohshme, që ky vend të udhëhiqet mirë në këto javë të vështira", tha zonja Merkel.

Ç’do të ndodhë tani? Kristian-demokratët e Merkelit, partia CDU, mund t'u afrohen partnerëve të mëparshëm qeveritarë, Social-demokratëve. Por deri tani, këta e kanë përjashtuar një tjetër koalicion të madh. Zonja Merkel i tha një televizioni gjerman se do të preferonte zgjedhje të reja sesa formimin e një qeverie të pakicës.

“Deri tani, në Gjermaninë e pasluftës asnjëherë nuk ka pasur një qeveri të pakicës. CDU-ja edhe mund ta bëjë këtë. Demokratët e Lirë kanë thënë se do ta mbështesnin në rast se do të ndodhte. Pra, mendoj se është e mundur. Çështja është: a dëshiron zonja Merkel ta bëjë?" thotë analisti Leopold Traugott.

Zonja Merkel tha se do të kandidonte përsëri për kancelare nëse do të kishte zgjedhje të reja. Por kjo mund ta dëmtojë. Alternativa e së djathtës ekstreme, partia AfD që është kundër emigrantëve, fitoi rreth 13% të votave në shtator. Ata nuhasin se mund të fitojnë edhe më shumë.

"Është shumë e mundur që AfD të forcohet, dhe kjo do ta bënte edhe më të vështirë krijimin e një qeverie,” thotë analisti Julian Gopffarth.

Në vitin 2015, në kulmin e krizës së emigrantëve në Europë, Gjermania pranoi më shumë se një milion azilkërkues, çështje që vazhdon të jetë thembra elektorale e Akilit për zonjën Merkel. Njoftohet se bisedimet e koalicionit u ndërprenë pjesërisht për çështje që lidhen me të drejtën e emigrantëve për të sjellë anëtarë të familjeve në Gjermani.

"Kjo do të mbetet një temë e rëndësishme në të ardhmen sepse çështja e migracionit nuk do të zhduket. Zonjës Merkel dhe pasuesve të saj do t’u duhet të merren me këtë," thotë analisti.

Bllokimi mund të ketë pasoja më të gjera.

"Gjermania, për dy muajt e ardhshëm, do të merret më shumë me çështjet e brendshme. Ata do të duhet të gjejnë një koalicion qeverisës dhe nuk do të mund të ndërhyjnë politikisht në çështje të tilla si Brexit apo reforma e Eurozonës në atë masë që mund të kenë shpresuar të tjerët", thotë analisti Traugott.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili shpresonte të drejtonte reformën e BE-së së bashku me zonjën Merkel, ka shprehur shqetësim për bllokimin e bisedimeve në Gjermani. Analistët thonë se kjo është pjesë e një modeli të njohur.

"Gjermania është në thelb pjesë e këtij ndryshimi të madh në demokracitë perëndimore, ku kemi fragmentarizim të partive dhe paqëndrueshmëri në rritje", thotë analisti Gopffarth.

Ndërsa vazhdon të jetë kancelare e përkohshme e Gjermanisë, zonja Merkel po përpiqet të gjejë rrugëdaljen, në një kohë kur Evropa kërkon një udhëheqje të fortë për ta nxjerrë nga kriza e fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG