Lidhje

SHBA, sanksione të reja për programin bërthamor të Koresë së Veriut

  • Zllatica Hoke

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sanskione të reja ndaj katër kompanive tregtare kineze dhe një shtetasi kinez, që thuhet se kanë zhvilluar biznes me vlerën e qindra milionë dollarëve me Korenë e Veriut.

Departamenti amerikan i Thesarit po ashtu përcaktoi gjashtë kompani tregtare dhe të transportit, si dhe 20 anije koreanoveriore, në listën e sanskioneve, si pjesë e përpjekjeve për ndërprerjen e financimeve për programin bërthamor dhe të raketave të shtetit të papërgjegjshëm.

Veprimet e së martës merren një ditë pasi Shtetet e Bashkuara e rikthyen Korenë e Veriut në listën e shteteve që mbështesin terrorizmin.

Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura “ta shtojnë në maksimum presionin” për izolimin e Koresë e Veriut nga burime të jashtme të tregtisë dhe të të ardhurave.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të hënën se përveç sanksioneve më të ashpra ekonomike, Koreja e Veriut do të riklasifikohet si shtet nxitës i terrorizmit. Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha se fushata më e ashpër por paqësore, do të prekë edhe palët e treta që bashkëpunojnë me regjimin komunist.

Koreja e Veriut ishte në listën e shteteve që mbështesin terrorizmin për 20 vjet, derisa presidenti George Bush e hoqi atë nga kjo listë në vitin 2008 si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare që gadishulli Korean të jetë pa armë bërthamore. Kjo përpjekje padyshim dështoi, tha sekretari Tillerson.

"Si rezultat i veprimeve që ata kanë ndërmarrë, përfshirë edhe vrasjet jashtë vendit të tyre, duke përdorur armë kimike të ndaluara - të gjitha këto veprime janë shumë, shumë serioze, sepse vënë gjithashtu në rrezik publikun".

Zoti Tillerson iu referua në mënyrë specifike vrasjes në shkurt të vëllait të Kim Jong Unit nga dy gra në aeroportin e Kuala Lumpurit në Malajzi. Në një mbledhje të kabineti paradite, presidenti Trump solli në vëmendje rastin e një studenti amerikan që u kthye në Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit në gjendje kome pas një burgosje të gjatë në Korenë e Veriut dhe vdiq pas gjashtë ditësh.

"Ndërsa marrin këtë veprim sot, kujtojmë të riun e mrekullueshëm Otto Warmbier, dhe shumë të tjerëve që janë prekur brutalisht nga regjimi shtypës i Koresë së Veriut."

Zoti Tillerson tha se statusi i Koresë së Veriut si shtet që nxit terrorizmin do të prekë edhe vendet që bashkëpunojnë me të, pasi përfshin kufizime që nuk mbulohen nga sanksionet ekonomike. Por ai tha se shumë vende tashmë i janë bashkuar përpjekjeve për të kontrolluar regjimin e Koresë së Veriut.

"Gjatë vizitës sonë në Vietnam, autoritetet u angazhuan të pakësojnë akvititetet e tyre të mëtejshme me Korenë e Veriut. Malajzia e ka treguar tashmë këtë, ndërsa Singapori ka ndërprerë të gjitha lidhjet tregëtare me Korenë e Veriut, ashtu si edhe Filipinet. Kohët e fundit ndihmës sekretari i Shtetit ishte në Afrikë ku zhvilloi takime me qeverinë sudaneze që ka blerë tradicionalisht armë nga Koreja e Veriut. Ata kanë rënë dakort tani të ndërpresin të gjitha këto blerje."

Zoti Tillerson nuk mund të pohonte nëse Kina ka bërë sa duhet për të ndalur furnizimin e Koresë së Veriut me karburant, por tha se radhët e gjata në stacionet e benzinatës në vendin e varfër, janë shenja të mungesës së karburantit.

Sekretari i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në një mision që do të ndryshojë rrugën e Koresë së Veriut në mënyrë që ajo të mund të angazhohet me vendet e tjera në aktivitete ekonomike të dobishme për qytetarët e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG