Prokurorët amerikanë po akuzojnë dy ish zyrtarë nga Hong Kongu dhe Senegali, për krijimin e një skeme ndërkombëtare rryshfeti, që përfshin Kombet e Bashkuara dhe është përhapur në disa kontinente.
Cheikh Gadio, ish Ministër i Jashtëm i Senegalit dhe Chi Ping Patrick Ho, ish Sekretar i Brendshëm i Hong Kongut, akuzohen se kanë bashkëpunuar për t’u dhënë rryshfete zyrtarëve afrikanë, me synimin për të siguruar të drejta biznesi për një kompani shumëkombëshe financiare dhe energjitike, me bazë në Shangai.
Në akuzat e ngritura, flitet për një skemë shumëvjeçare për t’u dhënë rryshfete presidentit të Çadit dhe Ministrit të Jashtëm të Ugandës, në këmbim të krijimit të lehtësirave në zhvillimin e biznesit nga një kompani e madhe kineze, që operon në sektorët financiarë, të naftës dhe të gazit.
Të dy zyrtarët janë ndaluar. Ambasada e Çadit në Uashington dhe misioni i Ugandës në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork nuk iu përgjigjën kërkesave të vazhdueshme për të komentuar mbi këtë çështje.