Lidhje

Shqipëria dhe Kosova në raportin e BERZH-it


Berzh
Berzh

Një raport i fundit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) thotë se vendet në të cilat vepron kjo bankë kanë nevojë për një model të ri rritjeje për t'i ndihmuar ato të kalojnë në një fazë të rritjes së qëndrueshme në të ardhmen.

Në Raportin e Tranzicionit 2017-18, të BERZH-it thuhet se rritja ekonomike në këto vende aktualisht është duke mbetur mbrapa krahasuar me atë që vihet re në tregje të ngjashme në zhvillim dhe se pas krizës financiare të viteve 2008-2009, shumë ekonomi duket se pasi kanë arritur një "nivel të ardhurash të mesme", nuk po arrijnë të zhvillohen përtej këtij niveli.

Për të arritur këtë, thuhet në raport, këto vende kanë nevojë të kenë institucione të reja politike dhe ekonomike që ofrojnë nxitje për prodhime dhe shërbime të reja. Por këto ndryshime institucionale, mund të jenë të vështira pasi, për shembull, ato bien ndesh me interesat e zyrtarëve aktualë që përfitojnë nga modelet e tanishme të zhvillimit. Dështimi i vendeve për të kaluar në modele të reja zhvillimi, është në qendër të pamundësisë së tyre për të kapëcyer statusin e “nivelit të të ardhurave të mesme”.

Ekonomisti i lartë i BERZH-it, Sergei Guriev sheh vend për optimizëm. "Duke forcuar institucionet e tyre, duke mbështetur dinamikën e fortë dhe inovacionin, duke integruar firmat e tyre në ekonominë globale dhe duke investuar në infrastrukturë të qëndrueshme, vendet e rajonit të BERZH-it duhet të jenë në gjendje të përfundojnë kalimin e tyre në ekonomi të tregut të qëndrueshëm", thotë ai.

SHQIPËRIA NË RAPORTIN “TRANZICIONI 2017-2018”

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se gjendja makroekonomike e Shqipërisë po përmirësohet. Në raport thuhet se niveli i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) po përmirësohet vit pas viti. Ai arriti në 3.4 për qind në vitin 2016, krahasuar me 2.2 që ishte në vitin 2015, ndërsa këtë vit parashikimi është të arrijë në 3.7 për qind, falë rritjes së konsumit të brendshëm dhe investimeve. Shpenzimet qeveritare u rritën në mënyrë të moderuar, ndërkohë që eksportet, megjithëse të pakta, luajtën një rol pozitiv, thuhet në raport.

Programi i FMN-së, i cili përfundoi me sukses, ka kontribuar në përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe në rënien e nivelit të borxhit publik, i cili megjithatë vazhdon të mbetet i lartë. Raporti vlerëson politikat monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë por vëren se niveli i kredidhënies është ende i ulët për të ndihmuar rritjen ekonomike. Në raport thuhet se duhet të vazhdojnë përpjekjeve për të trajtuar si duhet kreditë e këqija në sektorin bankar.

BERZH-i thotë se perspektiva afatshkurtër e rritjes ekonomike në Shqipëri është pozitive, por mbeten rreziqe. Rritja prej 3.7 për qind për vitin 2017, pritet të qëndrojë në të njëjtin nivel në vitin 2018, duke u mbështetur tek kërkesa e brendshme dhe në investimet e huaja të drejtpërdrejta, siç është projekti i gazsjellësit të Trans-Adriatikut (TAP).

Në raport thuhet gjithashtu se ekonomia do të përfitojë nga përparimi i mëtejshëm në procesin e përafrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, mbeten rreziqe të rëndësishme, të lidhura me dobësitë strukturore në administratën publike dhe infrastrukturë, si dhe dobësitë ndaj goditjeve të jashtme në tregun kryesor të Shqipërisë, Eurozonë.

Ndër përparësitë kryesore për vitin 2018, raporti radhit reformat e kërkuara për pranimin e vendit në Bashkimit Evropian si ajo e administratës publike dhe sundimit të ligjit. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se nevojiten reforma të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin e biznesit. Fushata kundër informalitetit ka dhanë rezultate të rëndësishme, thuhet në raport, por nevojiten përpjekje shtesë për të trajtuar problemet e rrënjosura thellë si marrja e paligjshme e energjisë elektrike, regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave.

Raporti thotë se përparimi i shënuar në reformën e sektorit të energjisë duhet të jetë i qëndrueshëm. Aty vlerësohen hapat e marra tashmë në këtë sektor si rritja e mbledhjes së faturave dhe uljet e humbjeve të shpërndarjes dhe shlyerja e borxheve ndaj sektorit privat. Përmirësime të mëtejshme në qeverisje dhe praktikat operacionale të ndërmarrjeve shtetërore në sektorin energjitik janë të nevojshme thuhet në raport për ta bërë të qëndrueshme përmirësimin e situatës së tyre financiare.

KOSOVA NË RAPORTIN E TRANZICIONIT 2017-2018

Ekonomia e Kosovës thuhet në raport po rritet fuqishëm. Faktorët kryesorë të rritjes vazhdojnë të jenë konsumi i brendshëm dhe investimet publike në infrastrukturë. Rritja ekonomike në vitin 2016 llogaritet të jetë 3.4 për qind, pak më e ulët nga 4 përqind në vitin 2015, por vazhdon të jetë e fuqishme nga ngadalësimi që pati në vitin 2014 (1.2 për qind). Një program i FMN me qeverinë e Kosovës thuhet në raport, skadoi në gusht 2017. Programi 22 mujor prej 185 milionë eurosh u miratua në korrik të vitit 2015. Në mars të vitit 2017 ai u zgjat deri në gusht për të ndihmuar vazhdimin e politikave dhe për të lejuar përparim në reformat strukturore. Megjithatë FMN-ja, thotë raporti i BERZH-it nuk dha vlerësim përfundimtar si dhe nuk bëri livrimin e rreth 15 milionë eurove të fundit të programit për shkak të mungesës së një qeverie të re pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit.

Raporti vlerëson disa nga masat e marra nga qeveria për të përmirësuar klimën e investimeve. Këtu përfshihet një ligj i ri për investimet strategjike, i cili është hartuar për të thjeshtuar procesin për investitorët dhe për të shtuar investimet e huaja të drejtpërdrejta, dhe përparimin në fushat e zbatimit të kontratave dhe prokurimeve publike.

Raporti vlerëson gjithashtu masat e marra për të lehtësuar tregtinë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe planet për të përmirësuar lidhjet rajonale të transportit.

Ndër përparësitë kryesore për vitin 2018, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim radhit nevojën për reforma të mëtejshme për përmirësimin e klimës së investimeve. Fushat kryesore që kërkojnë vëmendje përfshijnë rritjen e ndikimit dhe efektivitetit të Këshillit Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, forcimi i kapacitetit të Autoritetit të Konkurrencës dhe mbështetja për zbatimin e ligjit të falimentimit dhe ligjet e tjera tregtare.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se infrastruktura ndërkufitare e transportit duhet të vazhdojë të rritet. Kjo duhet të përfshijë përparimin drejt rehabilitimit dhe përmirësimit të rrugëve kryesore dhe hekurudhore ndërkufitare dhe përmirësimin e kapacitetit të agjencisë së shërbimeve për kontrollin ajror të vendit.

Kosova duhet të ruajë qëndrueshmërinë fiskale, thuhet në raport. Politikat e matura të ndjekura nga Kosova kanë çuar në uljen e borxhit publik dhe do të jenë të rëndësishme për të rritur besimin e investitorëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG