Lidhje

Shqipëri-Kosovë, 12 marrëveshje të reja


Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës u mblodhën sot në qytetin e Korçës në takimin e katërt mes tyre për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit. Kryeministri Edi Rama deklaroi në hapje të mbledhjes se ky bashkëpunim ka sjellë rezultate të prekshme dhe shpresdhënëse. Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se arritjet e deritanishme janë një mundësi për t'u ndjerë krenar, por se mbetet ende shumë punë për të bërë. Palët firmosën 12 marrëveshje e protokolle bashkëpunimi që prekin fusha të ndryshme.

Shqipëri-Kosovë, mbledhje e të dy qeverive
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive u parapri nga ceremonia e pritjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ndërsa më pas të dy ekipet qeveritare u ulën së bashku rreth së njejtës tryezë, në vazhdën e takimeve që e kanë zanafillën në vitin 2014, në mbledhjen e parë të mbajtur në Prizren. Të dy kryeministrat u shprehën se ajo që është bërë gjatë këtyre viteve nuk është pak. Dhe për ta dëshmuar këtë zoti Rama bëri një bilanc të shkurtër të arritjeve, duke folur nëpër një sërë procedurash e tarifash tashmë të eleminuara, sikundër reduktimi i barrierave të shumta tarifore dhe jo tarifore që janë përkthyer në një rritje të vëllimit tregtar mes dy vendeve apo dhe shtimit të pranisë së bizneseve shqiptare në Kosovë dhe anasjelltas.

Zoti Rama shprehu keqardhjen për bllokimin e vënies në funksionim të Linjës së interkoneksionit 400 kilovolt mes dy vendeve, e mbetur pezull për shkak të Serbisë, ndërsa vuri theksin në vënien në jetë sa më parë të zyrës operacionale të doganave të Kosovës në Portin e Durrësit në mënyrë që të evitohen kontrollet e dyfishta për mallrat që kanë destinacion Kosovën, apo që nga Kosova synojnë tregjet e huaja përmes këtij porti.

Për të ardhmen, kryeministri i Shqipërisë tha se palët janë dakortësuar për një qasje të re "që nxit shkëmbimet e gjithfarshme, një ndërlidhje më të madhe dhe lëvizje të shtuar të vlerave dhe kapitalit tregtar dhe atij njerëzor. Me marrëveshjet e protokollet e reja që nënshkruajmë sot, ne besojmë se do t’i japim një shtysë të re nxitjes së investimeve të ndërsjella dhe lehtësimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, me vendet e rajonit dhe më gjerë. Edhe njohja e ndërsjellë e të drejtës për pension për qytetarët tanë, është padyshim dhe më së pari, njohje e mirëfilltë e lidhjeve dhe lëvizshmërisë gjithnjë në rritje mes dy shoqërive tona gjithnjë dinamike”.

Nga ana e tij kryeministri Haradinaj tha se forcimi I bashkëpunimit mes dy vendeve forcon peshën e tyre dhe në rajon, “prandaj puna e mirë që kemi bërë për arritjet e këtij takimi të përbashkët dhe sot mundësia që të firmosim 12 marrëveshje e protokolle, dhe njëkohësisht puna e avancuar që do çojë në të ardhmen e afërt deri në unifikimin e doganave na bën të krenohemi por nuk mjafton”.

Marrëveshjet dhe memorandumet e firmosura pas mbledhjes përfshijnë disa fusha. Një rëndësi e veçantë i është dhënë diasporës, ndërsa palët angazhohen të financojnë mësimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore.

Nesër të dy qeveritë do të jenë në Vlorë ku do të përkujtohet 105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Atyre pritet t’u bashkohen edhe presidenti Ilir Meta dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG