Presidenti amerikan Donald Trump, në një sërë mesazhesh në Twitter nga Shtëpia e Bardhë, sulmoi Byronë Federale të Hetimeve, FBI dhe tha se nuk i kishte kërkuar ish-drejtorit të FBI-së, James Comey të ndalte hetimin e ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare, Michael Flynn për kontaktet e tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.
Reputacioni i FBI-së është “copëtuar, në pikën më të ulët në histori”, por siç tha ai administrata e Presidentit Trump do “t’ia rikthejë madhështinë”, deklaroi presidenti në Twitter.
Në një postim tjetër në Twitter lidhur me dëshminë e zotit Comey para Kongresit se presidenti i kishte kërkuar të ndalte hetimin e zotit Flynn, zoti Trump tha “thjesht më shumë lajme të rreme për të mbuluar një tjetër gënjeshtër të zotit Comey”.
Këto mesazhe vijnë dy ditë pasi zoti Flynn pranoi se i kishte gënjyer agjentët e FBI-së lidhur me bisedat që kishte pasur me ish-ambasadorin rus, Sergey Kislyak në javët para se zoti Trump të merrte detyrën në Janar.
Zoti Trump, të dielën në të njëjtën platformë të medias sociale sulmoi FBI-në edhe për lajmin se një agjent që kishte shkruar emaile në favor të ish-kandidates demokrate Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale, ishte përjashtuar nga ekipi i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, pasi u zbuluan emailet.
“Tani çdo gjë është e qartë”, tha zoti Trump.
Peter Strzok, pati shkëmbyer në muajin korrik mesazhe anti-Trump dhe pro-Clinton me një tjetër juriste që ishte pjesë e ekipit hetimor. Mësohet se ai pati shërbyer edhe në ekipin që hetoi përdorimin e një serveri privat email-i nga zonja Hillary Clinton, gjatë periudhës që ajo ishte në postin e Sekretares së Shtetit.
"Presidenti nuk duhet të bëjë asnjë koment për asnjë nga këto hetime. E vetmja gjë që ai duhet të bëjë është të udhëzojë të gjithë këshilltarët e tij dhe njerëzit e tjerë të lidhur me të që të bashkëpunojnë plotësisht”, tha senatorja republikane, Susan Collins në televizionin NBC News.
Një tjetër postim në Twitter nga Presidenti Trump, po tërheq vëmendjen. Pasi zoti Flynn pranoi akuzat e FBI-së, mesazhet e reja të Presidentit Trump linin të kuptohej se ai kishte qenë në dijeni se zoti Flynn kishte gënjyer FBI-në, veprim që dënohet me ligj në Shtetet e Bashkuara. Ky është një ndryshim thelbësor nga mesazhet në të kaluarën të Presidentit Trump për motivet e shkarkimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare. Megjithatë, Presidenti shtoi sot se ai nuk i pati kërkuar kurrë ish-drejtorit të FBI-së Comey të ndalonte hetimet ndaj zotit Flynn dhe se kjo është një gënjeshtër e zotit Comey.
Presidenti Donald Trump duket se ndryshoi variantin e tij për arsyet se pse shkarkoi Michael Flynn nga posti i këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare. Fillimisht, Presidenti pati thënë se e kishte shkarkuar pasi nuk ishte treguar i sinqertë me Nënpresidentin Michael Pence rreth kontakteve me rusët gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit presidencial.
Dje, Presidenti Trump shkruajti në Twitter se iu desh ta shkarkonte Gjeneralin Flynn pasi gënjeu Nënpresidentin dhe FBI-në dhe se ai tashmë ka pranuar fajësinë për këto gënjeshtra.
Avokati personal i presidentit, John Dowd thotë se ishte ai që e kishte shkruan mesazhin në Twitter dhe i tha faqes së internetit Axios të dielën se ishte faji i tij që i kishte përcjellë një tekst për postimin, drejtorit të medias sociale në Shtëpinë e Bardhë, Dan Scavino.
“Unë nuk para postoj në Twitter. Nuk kisha synim të nxirrja lajm", tha ai sipas Axios.
Ky mesazh i fundit sugjeron se Presidenti e dinte që zoti Flynn kishte gënjyer FBI-në dhe Nënpresidentin për kontaktet e tij me rusët dhe se ishte përpjekur të pengonte drejtësinë.
Dhe shumë vetë po vënë në dyshim shpjegimin e avokatit.
“Duket po aq e vështirë për t'u besuar sa edhe në interesin e e Presidentit Trump". thotë Ned Price, ish-ndihmës i posaçëm i Presidentit Barack Obama bë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Ideja që një avokat mund të formulojë një postim të tillë, pa mendimin ose autorizimin e Trumpit, nuk më duket e besueshme", i tha Zërit të Amerikës, zotit Price, një ish-analist dhe ish-zëdhënës i CIA-s.
Presidenti Trump nuk e ka përmendur më parë FBI-në në prononcimet e tij për zotin Flynn dhe kontaktet me rusët.
Në Shtetet e Bashkuara është e kundraligjshme të gjënjesh FBI-në.
Presidenti shtoi sot në Twitter se nuk i pati kërkuar kurrë ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, që të ndalonte hetimet për zotin Flynn, dhe se këto janë lajme të rreme të bazuara tek gënjeshtra e zotit Comey.
Mesazhet e Presidentit Trump në Twitter kanë krijuar konfuzion për çfarë ai dinte apo nuk dinte për kontaktet e zotit Flynn me rusët.
Facebook Forum