Lidhje

Shkup, masë paraburgimi për 3 deputetë të VMRO-së


Gjykata Penale në Shkup vendosi të marten për masën e paraburgimit pët tre nga gjashtë deputetët e opozitës maqedonase të akuzuar për veprën “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me përfshirjen e tyre në ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë më 27 prill.

Deputetët Kërsto Mukovski, Sasho Vasilevski dhe Lupço Arnaudov u dërguan në paraburgim nga policia, ndërsa Zhaklina Peshevskës, Johan Tarçulovskit dhe Lupço Dimovskit iu dha masa e arrestit shtëpiak edhe pse prokuroria publike kishte kërkuar masën e paraburgimin edhe për ata.

Vepra për të cilën akuzohen parashikon dënim me burg prej më së paku dhjetë vjetësh.

Parlamenti i vendit votoi të premten për heqjen e imunitetit të tyre.

Kërsto Mukovski dhe Sasho Vasilevski shihen në një prej video-regjistrimeve të shërbimeve të parlamentit duke ua hapur dyert sulmuesve dhe tre ligjvënësit e tjerë duke i udhëzuar ata pasi kishin hyrë në hapësirat e parlamentit se si të arrijnë në sallën ku ndodheshin deputetët e shumicës parlamentare.

Ligjvënësi i dyshuar Kërsto Mukoski para se të hynte në gjykatë u tha mediave se gjykata nuk ka argumente për paraburgim, ndërsa shtoi se “ia lë gjykatës të vendosë për këtë dhe se ai ka besim tek gjykata”.

Ndërkaq, Johan Tarçulovski ka qenë i akuzuar nga Tribunali i Hagës dhe ka vuajtur tetë vjet burg për shkak të krimit të kryer ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Lubeten të Shkupit gjatë konfliktit t vitit 2001.

Në ngjarjet e 27 prillit më së keqi e pësoi Zoran Zaev, tash kryeministër dhe Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, si dhe disa deputetë të tjerë të Lidhjes Social Demokrate.

Komuniteti ndërkombëtar ka inkurajuar hetime dhe dënimin e përgjegësve në një proces transparent dhe të drejtë gjyqësor.

Deri tash, mbi tridhjetë persona, mes tyre artistë të njohur maqedonas janë të akuzuar në lidhje me këto ngjarje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG