Pentagoni thotë se janë afërsisht 2,000 trupa amerikane në Siri, katërfishi i numrit që zyrtarët amerikanë kanë pranuar deri tani.
Shifra pasqyron një urdhër të Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis për të rishikuar sesi Pentagoni llogarit numrin e personelit të dislokuar për të kryer operacionet madhore në Irak dhe Siri. Shifra e re nuk do të thotë se janë dislokuar trupa shtesë, por tregon një pasaktësi të madhe në shifrat e dhëna më parë.
Numri i rishikuar i trupave amerikane në Irak mbetet i njëjtë si më parë, rreth 5,200, ndonëse zëdhënësi i Pentagonit Robert Manning tha se numri i forcave amerikane është gjithashtu në rënie.
"Ne shpresojmë që kjo prirje të vazhdojë," tha ai.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit Eric Pahon, shifrat e reja ende përjashtojnë misionet e ndjeshme dhe llojet e caktuara të personelit, si personeli i sigurisë i bashkangjitur në ambasadën e SHBA në Irak.
Departamenti i Mbrojtjes dha një rishikim të ngjashëm për numrin e trupave në Afganistan në gusht, duke ndryshuar numrin e pranuar të trupave nga rreth 8,400 trupa në 11,000 trupa.
Facebook Forum