Lidhje

Të martën në Alabama mbahen zgjedhjet për një vend në Senat


Vëmendja e amerikanëve është përqëndurar këto ditë në shtetin jugor të Alabamës, ku të martën mbahen zgjedhjet e posaçme për një vend në Senatin amerikan. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për fatin e programit legjislativ të Presidentit Donald Trump përfshirë planin e tij ambicioz për reformimin e sistemit tëtaksave:

Në Alabama, një prej shteteve më konservatore të Amerikës, që zkonisht voton për republikanët, anketat flasin për një garë të ngushtë mes kandidatit republikan për në Senat Roy Moore dhe atij demokrat, Doug Jones.

Një numër grash e kanë akuzuar Roy Moore-in për sulme të padëshëruara seksuale kur ato ishin ende adoleshente, apo në moshë të re. Moore i ka mohuar këto akuza dhe nuk i ka marrë parasysh thirrjet nga republikanë me emër në Uashington që të heqë dorë nga gara.

“Ata kanë frikë se unë kam për t’i çuar vlerat e Alabamës në Uashington. Në fakt, mezi pres ta bëj këtë,”- tha Moore.

Presidenti Trump fillimisht e shmangu zotit Moore, por tani ai po e mbështet atë, me shpresën për të ruajtur vendin e republikanëve në Senat:

"Ne dhe krahas me ne i gjithë vendi, nuk mund ta lejojmë të humbim një vend në senatin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa gara zhvillohet tepër e ngushtë.”- tha ai.

Roy Moore, një i krishterë fondamentalist pasionant, i ka bërë republikanët të mos ndjehen mirë, edhe para daljes së akuzave për ngacmime seksuale. Me fjalët “vendi para partisë”, një senator republikan bëri të njohur se kishte dhënë donacion për demokratin Jones.

Udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell deklaroi se Moore nuk e meriton të shërbejë në Senat, por ai shtoi se populli i Alabamës duhet të vendosë për garën.

“Pata shpresuar që ai do të tërhiqej nga gara, por mesa duket kjo nuk po ndodh. Në se do të zgjidhej, ai do të duhejt të përballej menjëherë me Komisionin e Senatit,”- tha zoti McConnell.

Demokratët, ndërkohë, e shohin garën si një rast të rrallë për të fituar një vend për në senat nga një shtet jugor, ku republikanët kanë aktualisht të gjitha vendet, që nga Teksasi e deri tek Karolinat.

“Kemi një shans unik në shtetin e Alabamës…Po shohim një entuziazëm të paparë. Njerëzit janë gati për ndryshim,”- tha zoti Jones.

Fitorja e zotit Jones do ta pakësonte me një vend shumicën republikane prej dy vendesh në Senat, duke rrezikuar reformën e pakësimit të taksave dhe elementë të tjerë të programit të zotit Trump para Kongresit, çështje që fushata e zotit Moore është e etur ta theksojë në një shtet ku Donald Trump fitoi me lehtësi vitin e kaluar dhe ku ai ende gëzon popullaritet.

“Kjo është një provë për Donald Trump-in në Alabama. Në se populli i Alabamës voton për demokratin liberal, Doug Jones, kjo tregon se ata po votojnë kundër presidentit, të cilin ata e çuan në zyrën më të lartë të vendit,”- thotë strategu i fushatës së zotit Moore.

“Republikanët po e vënë partinë mbi parimet dhe mbi popullin. Shpresoj që njerëzit në Alabama, kanë për ta kuptuar këtë dhe do të zgjedhin të votojnë për kandidatin e duhur mbi politikat partiake,”- thotë ligjvënësi demokrat Sewell.

Jones dhe Moore konkurojnë për vendin e Senatit që mbahej nga Jeff Sessions, deri në momentin kur ai u bë Prokuror i Përgjithshëm i adminisrtatës Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG