Lidhje

Kosovë, reagime për marrëveshjen e termocentralit të ri


Kosovë, reagime për marrëveshjen për termocentralin e ri
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00

Kosovë, reagime për marrëveshjen për termocentralin e ri

Autoritetet në Kosovë thonë se marrëveshja me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re", e cila pritet të nënshkruhet ditët e ardhshme, do t’i sigurojë Kosovës 500 megavat orë energji elektrike dhe një investim prej rreth 1 miliard eurosh.

Kosovë, reagime për marrëveshjen për termocentralin e ri
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një bisedë për Zërin e Amerikës thotë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

“Ne e dimë që kemi humbje jashtëzakonisht të mëdha në prodhimin e energjisë, kemi paqëndrueshmëri dhe kemi termocentrale që janë shumë të vjetra e të ndërtuara nga vitet e 60-ta dhe 70-ta dhe normalisht nuk janë të qëndrueshme, në çdo moment pritet që ato të dështojnë së funksionuari dhe të cilat kanë ndërprerje. Importi i energjisë është i paparashikueshëm, sidomos kur bëhet në formë të paplanifikuar. Shumë studime thonë që diku rreth 300 milion euro janë shpenzuar nga bizneset për shkak të ndërprerjes së energjisë dhe duke i marr të gjitha në konsideratë, unë besoj që është një lajm i madh”, tha ministri Lluka.

Termocentrali i ri sipas qeverisë do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional nga viti 2023.

Por, arritja e marrëveshjes ka ngjallur reagime te partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile të cilat kanë ngritur shqetësime për mungesë të transparencës dhe mundësisë për rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha sot në parlamentin e Kosovës se një marrëveshje e tillë është e dëmshme për vendin.

“Kthimi në investime për këtë ndërtim do të jetë rreth 21.5 për qind siç janë dakorduar me qeverinë, ndërsa ngritja e çmimit të energjisë parashikohet nga qeveria të rritet nga 28 deri 32 për qind si rrjedhojë e këtij projekti. Besoj që këto mjaftojnë për ta treguar se sa skandaloze është kjo kontratë dhe ky projekt në përgjithësi”, tha zoti Ymëri.

Visar Azemi nga Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (KOSID), thotë se marrëveshja përveç që është e keqe, është edhe e dëmshme. Ai thotë se Kosova nuk ka nevojë për ndërtim të një termocentrali të ri me qymyr por investime në energji të pastër.

“Nuk duhet të bëjmë hapin e fundit të ndërtimit të një termocentrali pa e studiuar mirë dhe pa marr masa të mjaftueshme për ta ulur konsumin e energjisë në masat e efiçiencës së energjisë. Më pas për ta ndryshuar raportin 97 në 3 në favor të qymyrit Kosova ka obligime edhe në iniciativat rajonale të integrimit të saj në komunitetin evropian dhe nuk ka bërë asgjë për të rritur këto caqe të cilat janë obligim i Kosovës. Kosova mund ta ketë bazën me qymyr, atë të Kosovës B që ndoshta duhet të revitalizohet mirëpo pjesë të tjera mund t’i arrijë me uljen e konsumit energjetik në vend dhe me shtimin e kapaciteteve të burimeve të ripërtërishme”, tha zoti Azemi.

Ai ngre shqetësim edhe çmimin e energjisë.

“E dimë që ka pasur pakënaqësi të shumta kur ka pasur rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe qytetarët janë mobilizuar për atë të padrejtë që u ishte bërë më herët. Mirëpo po flasim për një rritje minimumi 30 për qind, e mbi 50 për qind ndoshta mund të shkojë me këtë investim që po bëhet në termocentralin e ri”, tha zoti Azemi.

Por, ministri Lluka thotë se me marrëveshjen e arritur është ulur përqindja e kthimit të investimeve dhe sipas tij kjo do të ndikojë shumë pak në ngritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Por, unë besoj që deri në kohën kur ndërtohet termocentrali ne do të investojmë shumë në përmirësimin e rrjetit energjetik duke eliminuar humbjet që janë në treg, që nga 32 për qind të humbjeve komerciale që kemi aktualisht nëse e sjellim në një standard që është 12 për qind atëherë kursimi nga këto humbje do të kompensohet me termocentralin e ri dhe realisht besoj që çmimet nuk do të reflektojnë në një rritje të konsiderueshme në fund te konsumatorët dhe ky është qëllimi ynë që të mos kemi rritje të konsiderueshme sepse normalisht askush në këtë moment nuk dëshiron të ketë rritje të faturave”, tha ministri Lluka.

Autoritetet thonë se në ndërtimin e termocentralit të ri do të përdoret teknologjia e fundit që do të mundësojë në zvogëlimin e gazrave dhe ruajtjen e mjedisit.

Kosova llogaritet një nga vendet me rezervat më të mëdha të qymyrit linjit në botë të cilin e shfrytëzon për të prodhuar energji elektrike.

Deri në përfundimin e termocentralit të ri, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG