Lidhje

Presidenti amerikan parashikon miratimin e ligjit për taksat


Presidenti Donald Trump mund të jetë në prag të fitores së tij më të madhe legjislative, nëse miratohet ndryshimi i kodit të taksave dhe me rishikimin e pjesshëm të ligjit të sikgurimit shëndetësor të ish presidentit Barack Obama. Duket se republikanët në Kongres i kanë votat e mjaftueshme për t’i shkurtuar në mënyrë të përhershme taksat e korporatave dhe për një ulje të përkohshme të taksave për rrogëtarët e shtresës së mesme. Shkurtimet e taksave mund ta rrisin borxhin kombëtar të Amerikës me deri 1.5 trillionë dollarë:

Pranë fundit të vitit të tij të parë në post, Presidenti Trump duket se po nuhat fitore:

“Do të fillojmë të ndjehemi shkëlqyeshëm. Kjo na duhet si shtytje përfundimtare.”

Republikanët venë bast se 8 vitet e njëpasnjëshme me rritje ekonomnike mund të vazhdojnë dhe madje përshpejtohen me një dozë të madhe stimulimi, duke shkurtuar taksat.

“Miratimi i ligjit për shkurtim masiv dhe reformim të sistemit të taksave, do ta zgjonte gjigandin e fjetur në ekonominë amerikane.” – thotë senatori republikan Cornyn.

Por demokratët thonë se situata nuk është dhe aq rozë:

“Republikanët vazhduan ta nxisin ligjin e taksave që do të shkatërronte klasën e mesme dhe punonjësit amerikanë dhe do ta bënte të shpërthejë borxhin tonë kombëtar…Kjo do të thotë se fëmijëve dhe nipërve tanë do t’u mbetet të paguajnë faturën e lartë”,- thotë ligjvënësi demokrat Thompson.

Historia ofron një pamje të paqartë për ndikimin e shkurtimit të taksave. Ekonomia amerikane u gjallërua pas shkurtimit të taksave në vietet 1980, por pati rritje më të lartë pas ngritjes së madhe të taksave në vitet 1990. Shkurtimi i taksave në vitet 2001 dhe 2003 u pasua me disa vite rritjeje ekonomike të moderuar dhe pastaj me një recesion të madh.

Republikanët këmbëngulin se amerikanët do të jenë më mirë ekonomikisht pas pakësimit të barrës së taksave.

“Të gjithë kanë për të përfituar, por mendoj se përfitimi më i madh ka për të qenë për vendet e punës për shtesën e mesme…Ekonomia jonë është tani në gjendje fantastike. Por mbetet edhe një hap i madh për t’u kapërcyer, që nuk mund ta marrë pa miratuar ligjin e taksave.”- tha Presidenti Trump.

Demokratët thonë se nga ligji do të përfitonin më tepër të pasurit dhe se amerikanëve të varfër dhe të moshuar do t’u duhet paguajnë një çmim më të lartë me planin e republikanëve:

“Ata po zhysin vendin edhe më tej në borxh. Në se i hedh një vështrim buxhetit të tyre, duket fare qartë plani për ta pakësuar programin shëndetësor për të moshuarit Medicare me 500 miliardë dollarë dhe atë për të varfërit, Medicaid, me mbi$1 trillion.”- thotë senatori demokrat Van Hollen.

Për të shmangur dezertimet e minutës së fundit të ndonjë ligjvënësi republikan, apo të mungesave në ditën e votimit, Kongresi mund ta çojë ligjin e taksave në Shtëpinë e Bardhë, për t’u firmosur nga Presidenti Trump, që të mërkurën. Pakica demokrate nuk mund ta bllokojë ligjin, por ka premtuar se do ta bëjë atë një çështje madhore në fushatën për zgjedhjet e mesit të mandatit vitin e ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG