Lidhje

Trump: Siguria ekonomike është siguri kombëtare


Në një raport vjetor të kërkuar nga Kongresi, Presidenti Donald Trump prezantoi strategjinë e sigurisë kombëtare që përmbledh vizionin e tij për pozitën e Amerikës në botë. Korrespondenti Peter Heinlein njofton se plani e vë theksin tek aftësia konkurruese e Amerikës, duke veçuar Kinën dhe Rusinë si rivale kryesore të Amerikës për influencë globale:

Presidenti Trump e prezantoi strategjinë në ndërtesën Ronald Regan, me një fjalim që të kujtonte moton e ish-presidentit Reagan “paqe përmes fuqisë”. Zoti Trump e vuri theksin tek rimëkëmbja e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të Amerikës, në përputhje me moton e tij: Amerika në plan të parë.

“Strategjia jonë synon rritjen e ndikimit të Amerikës në botë. Por kjo fillon me rritjen e potencialit ekonomik dhe fuqisë në vend. Amerika do të jetë përsëri në krye. Ne nuk synojmë t’i imponojmë askujt mënyrën tonë të jetesës, por do të luftojmë për vlerat tona pa ngurruar,” tha presidenti.

Zoti Trump identifikoi Rusinë dhe Kinën si rivale që po përpiqen të ristrukturojnë botën në mënyra që bien ndesh me interesat e Amerikës.

“Mund të na pëlqejë ose jo, por ne jemi të angazhuar në një epokë konkurrence. Ne e kemi të qartë se rivalitete të forta ushtarake, ekonomike dhe politike po luhen në botë. Ne ballafaqohemi me regjime të papërgjegjshme që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë. Ne ballafaqohemi me organizata terroriste, rrjete kriminale ndërkombëtare dhe grupime të tjera që përhapin dhunë e keqdashje nëpër botë. Ne ballafaqohemi gjithashtu me fuqi rivale si Rusia dhe Kina që përpiqen të sfidojnë ndikimin, vlerat dhe begatinë e Amerikës,” tha presidenti.

Zoti Trump i klafisifikoi Korenë e Veriut dhe Iranin në kategorinë e regjimeve të papërgjegjshme dhe u shpreh se strategjia e tij për të frenuar Phenianin po jep rezultat:

“Kemi bashkuar aleatët tanë në një përpjekje të pashmebullt për të izoluar Korenë e Veriut. Megjithatë, kemi ende shumë punë për të bërë. Amerika dhe aleatët e saj do të bëjnë të gjithë hapat e nevojshëm për të arritur çmilitarizimin bërthamor dhe për të garantuar se ky regjim nuk do të mund të kërcënojë botën”.

Pa përmendur pararendësit e tij, Presidenti Trump tha se strategjitë e mëparshme për sigurinë kanë injoruar faktin se siguria ekonomike është siguri kombëtare.

“Udhëheqësit tanë u larguan nga parimet amerikane. U shpërqëndruan nga misioni i madh i Amerikës dhe humbën besimin tek madhështia e Shteteve të Bashkuara. Si rezultat edhe amerikanët humbën diçka. Ata humbën besimin tek qeveria dhe gradualisht edhe tek e ardhmja e tyre. Por vjet, e gjithë kjo filloi të ndryshonte,” tha zoti Trump.

David Adesnik punon për Fondacionin për Demokracitë. Ai thotë se deklarata e zotit Trump është një shkëputje e dukshme nga stragjitë e mëparshme të sigurisë që mbështeteshin tek përpjekjet dhe marrëveshjet diplomatike:

“Mendoj se ky qëndrim ishte një dobësi e politikave të mëparshme. Ekzistonte bindja se duke u angazhuar më thellë në diplomaci, të dyja palët do të fillonin ta kuptonin njëra-tjetrën më mirë. Vendet demokratike e ushqejnë këtë shpresë, por mendoj se në një numër rastesh nuk ka funksionuar prandaj ndryshimi në këtë drejtim është i mirëpritur,” thotë analisti.

Strategjia e zotit Trump është kritikuar nga disa pasi nuk e konsideron ndryshimin e klimës si një kërcënim për sigurinë kombëtare, siç bëri administrata Obama. Por ndihmësit e presidentit Trump thonë se strategjia e tij e identifikon menaxhimin e mjedisit ndër sfidat me të cilat përballet Amerika.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG